Hoxha para deputetëve: Liberalizimi brenda këtij viti

19 prill 2018 | 17:43

Ministrja e Integrimit Evropian (MIE), Dhurata Hoxha, ka raportuar në Komisionin për Integrime Evropiane në lidhje me Raportin e Progresit.

Ajo ka theksuar se ky raport ka shumë vlerësime pozitive, duke përfshirë zgjedhjet nacionale dhe lokale të vitit të kaluar, ratifikimin e marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi dhe ekzistimin e një mjedisi pluralist dhe dinamik të medieve.

“Progres ka pasur edhe në fushën e Reformës së Administratës Publike dhe rishikimin e agjencive dhe trupave te pavarura, në sistemin e drejtësisë ka përparime në zbatimin e pakos ligjore të vitit 2015, dhe në veçanti në integrimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të komunitetit serb në sistemin e drejtësisë së Kosovës”, ka thënë
Hoxha.

Po ashtu ajo ka thënë se në raport vlerësohet edhe lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Raporti nënvizon se Kosova ka vazhduar masat për marrëdhënie të mira dhe konstruktive bilaterale me vendet e rajonit, dhe njëkohësisht vlerësohet angazhimi ynë në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë”, ka thënë Hoxha.

Ministrja Hoxha është shprehur e bindur se lëvizja e lirë e qytetarëve të Kosovës do të realizohet deri në fund të vitit.

Më tutje Hoxha ka thënë se në Raportin e Progresit janë evidentuar edhe disa nga sfidat që ka Kosova.

“Ministria ka koordinuar përgatitjen e Programit Kombëtar për Zbatimin e MSA-së 2018-2022. Dokumenti ka paraparë masat afatmesme dhe afatshkurtra për të adresuar gjetjet e Raportit. Njëkohësisht, Ministria do të koordinoj gjatë këtij viti takimet e strukturave të MSA-së, në kuadër të cilave përfaqësuesit e institucioneve dhe Komisionit Evropian do të diskutojnë të gjeturat e raportit dhe masat që planifikojmë të ndërmarrim për adresimin e tyre”, ka thënë ministrja Hoxha.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri grek i Mbrojtjes, Panos Kamenos kritikoi individët që tentuan…