Çdo dhimbje bart me vete bekim

24 qershor 2022 | 13:56

E dashur Antigonë,

Quhem (A…). Sa herë që u jam drejtuar nënës dhe gjyshes sime me ndonjë pyetje, gjithmonë më thoshin mbylle gojën. Kisha frikë që nuk do të më ktheje përgjigje as ti. Për dallim prej tyre, ti nuk hezitove dhe më ndihmove. Jam duke shkruar tani dhe po më duket se po ëndërroj. Si arrita të bëhem kjo që jam tani, e dashur, e lumtur, e gëzuar, pas shumë vitesh që kisha harruar se çfarë është buzëqeshja. Jeta ime ishte brenda disa mureve të cilat kishin arritur të mykeshin nga errësira që i kishte mbuluar nga padrejtësitë dhe mosdijet që janë thurur në mosdijen e personave që kisha zgjedhur të jem fëmija i tyre.

Kur isha shtatë vjeçe më vdiq babai. Fare pak e mbaj mend. E gjitha që më kujtohet është se më përqafonte afër shtratit çdo natë, por nuk e di përse nuk e mbaj mend asnjë lojë që kisha bërë ndonjëherë me të.

Në familjen tonë isha fëmija më i vogël. Para meje kisha tre vëllezër dhe një motër. Kur vdiq babai familjen tonë e pllakosi varfëria. Të gjithë fëmijët ishin të vegjël dhe nënës sime i ranë mbi shpatulla shumë halle. Nuk kishte më kohë as të na ledhatonte, e unë doja një përqafim të saj ashtu sikurse i për­qafonin shoqet e mia nënat e tyre dhe me gëzim niseshim për shkollë së bashku. Ato e kishin mendjen vetëm te mësimet, kurse unë te ledhatimet e nënës së tyre e te mungesa e ledha­timeve të nënës sime. Shpesh i thosha vetes pse kam lindur në këtë familje? Pse babai nuk është më? Ai që më përqafonte. Atëkohë nuk dija të mendoja se nëna ime kishte hallin si të më ushqente, të më mbante gjallë. Zemra ime kurrë nuk ka besuar se nëna më donte. Mendoja se vetëm nënat e shoqeve të mia janë të mira. Kam rënë në shtrat shumë net pa ngrënë mjaftueshëm. Ato net i harroja sapo vinte ndonjë mysafir në shtëpi. I shikoja duart e tyre çfarë na kanë sjellë. Kjo është një histori të cilën asnjëherë nuk mund ta fshij nga mendja. Më dhemb fort. Sot po të dëgjoja në një seancë live dhe ti po thoshe faleni të kaluarën. Nuk e kuptoja dot se si mund të thoshe faleni të kaluarën. Meqenëse kaq shumë njerëz të falënderojnë që ia dolën mbanë, vendosa që edhe unë të të drejtohesha me pyetje dhe pyetja ime atë ditë ishte kjo: Si, moj Antigonë, ta fal të kaluarën? Si t’i shlyej ato kujtime kur xhaxhallarët e mi, që na shikonin si e bënim jetën ne të varfrit, fëmijëve të vet u blinin veshmbathje, ushqime, shkonin në pushime e për neve që na kishin në një oborr, nuk u binte ndër mend të na ofronin ndihmë?! Si të falet kjo gjë kur sot ne të gjithë jemi rritur. Faleminderit Zotit që tashmë kemi një jetë të mirë ekonomikisht. Po përse çdo ditë ky film mendor më sillet dhe nuk më lë rehat? As gjumë natën nuk mund të bëj sepse e njëjta histori gjatë natës më përsëritet, e mira Antigonë! A ka ndonjë shpjegim për këtë? Si të lirohem nga ky ankth që po më mbyt? Nuk po mund ta gëzoj as jetën e bukur që kam ndër­tuar me bashkëshortin tim dhe me tri vajzat e bukura që më thërrasin nënë. Bile nuk kam dëshirë të bëj djalë asnjëherë sepse nuk dua që të jetë ai i pamëshirshëm si xhaxhallarët e mi. Kjo histori po më mbyt. Jam nervoze, pa vullnet, shumë herë nuk tregohem prind i mirë edhe për vajzat e mia sepse nuk mund të jem e qetë dhe nuk e di pse më ndodh kjo. Nëse ka një zgjidhje, të lutem më ndihmo! Dua të mos ndiej urrejtje, por nuk di si ta largoj këtë ndjenjë që po më fundos çdo ditë.

(Fragment nga libri i autores Antigona Behrami, “Metoda për një jetë magjike: projektoni çdo gjë që doni, përtej asaj që ju shohin sytë”. Librin mund ta porositni në llogarinë e autores në rrjetin social “Instagram” dhe “Facebook”)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sipas informacioneve që posedon zyra e Institutit për Afirmimin e…