Letër komandant Ahmet Kaçikut

20 janar 2023 | 18:36

Shkruan: Ragip Gjoshi

Në ditën e pestë të qëndresës së UÇK-së në Reçak ra, për të mos vdekur kurrë, Ahmet Kaçiku, që ia fali jetën atdheut dhe emrin Brigadës 161

William Walker: “Masakrën e Reçakut e mohojnë ata që kanë urdhëruar krimin, kanë marrë pjesë dhe janë munduar ta fshehin atë!”

Pse krerët e shtetit, 24 vjet pas tmerrit të Reçakut, asnjë shkrim, asnjë fjalë për luftën e qëndresën pesëditore të UÇK-së?!

Komandant i nderuar,

Jam i nderuar, si bashkëluftëtari i fundit që jam ndarë nga Ju, vetëm pak orë para se ju të kishit rënë në fushën e nderit…Mora urdhrat tuaja për drejtimin e luftimeve në istikame dhe u përqafuam…I kam të freskëta fjalët tuaja të asaj dite! Andaj, e ndjej për borxh që t’u raportoj për gjithçka që e besoj se ju duhet ta dini!

I dashur komandant,

Po nis letrën time me një lajmë të pazakontë… Nuk kemi besuar asnjëri se vjen dita dhe pas dy dekadash të çlirimit të Kosovës, thotë se sot u çlirua Shtimja!

Nuk kemi besuar se pas mbi dy dekadash “hyqymeti” lyp letrat e bashkëluftëtarëve tone që ta japin mendimin se a është në rregull ideo-politikisht!…Të lexojnë se a mos është përmendur në letër UÇK-ja apo krerët e saj që po mbahen në Hagë pengje të plotënisë së lirisë!

Nuk kemi besuar kurrë se dikush frikësohet nga tri shkronjat e arta-UÇK, siç frikësohen lugetërit nga kryqi!

Komandanti im,

Qeveria Kurti nuk e ka lejuar përfaqësuesin e fshatit Reçak, si i zgjedhur i qytetarëve të Shtimes, si ish pjesëtar i UÇK-së, si invalid i luftimeve të asaj dite në Reçak dhe si familjar i të vrarëve në këtë masakër, që t’i falënderoj të gjithë ata që ishin prezent në përvjetorin e 24-të  gjithë atyre qytetarëve të Kosovës, që u bënë  pjesë e kujtimeve dhe dhimbjeve tona…Nuk u lejuan as përfaqësuesit e Organizatave të Luftës së UÇK-së, por një përshëndetje dhe falënderim i sinqertë… Si nuk u turpëruan nga  qytetari i nderit I Shtimes, mikut tonë të luftës dhe të paqes, ambasadorin Viliam Voker!

Dikush po frikësohet nga UÇK–ja sikur lugetërit nga kryqi

I dashur Komandant,

Sot do të ishe bërë 59 vjeçar po të ishe në këtë botë…Por ti zgjodhe përjetësinë..Ti tani je i përjetshëm…Përherë i ri… Në memorien time,por edhe në kujtesën e lavdisë së UÇK-së,në mesin e shumë atdhetarëve  do të shquhet emri juaj, Heroit të Kombit Ahmet (Shaban) Kaçiku…Po ju shkruaj,me rastin e 24 vjetorit të rënies tuaj heroike, ballë për ballë me forcat e armikut,sot kur po mohohet e heshtet rënia juaj dhe rënia e 11 bashkëluftëtarëve tanë…! Erdhi dita,që zgjedhjet lokale në komunën e Shtimës po vlerësohen si “çlirim i komunës së Shtimes” dhe jo rënia juaj dhe e bashkëluftëtarëve tuaj.

Ju Komandanti im,

Keni rënë në fushën e nderit siç bien trimat…Keni fituar përjetësinë vetëm katër ditë pas kremtimit të ditëlindjes tuaj  të 35-të dhe  ditëlindjes time të 42-të… Ju Komandant, më 19 janar 1999 duke rënë në logun e trimërisë dhe duke shpaguar vetën shumëfish,përballë kriminelëve  që kishin mësyrë për në Reçak,dhe ku kishin kryer krim mbi njerëzimin ,ishe venë në mbrojtje të banorëve civilë.

Komandant Ahmet,

E ndjej për privilegj dhe krenari qe isha njëri ndër bashkëpunëtorët e bashkëluftëtarët e juaj më të afërt  si nd/Komandant për moral e më pastaj edhe për personel në Brigadën 161, të cilës Ju Komandant Ahmeti  ia falët emrin e tuaj të ju raportoj,sot…! Ju shquheshit  për trimëri, sypatrembur dhe me vizion të qartë për çlirimin e vendit…Ju ,me qëndresën e heroizmin tuaj siguruat vend të çmuar në Panteonin e lavdisë, guximit  e trimërisë….Aty zëni  një vend shumë meritor,në mesin e bashkëluftëtarëve të tuaj e të mijë që patëm fat të jem përkrah tyre…

I çmuar Komandant,

Përpjekja për heshtjen e rënies tuaj me bashkëluftëtarë nga ana e institucioneve tona shtetërore dhe përpjekja e rezistencës së armatosur nga disa mjeran të veshur me pushtet, si dhe përpjekja për mohimin e Masakrës së Reçakut nga ana e krerëve të një shteti kriminal serb në anën tjetër  ,në përvjetorin e 24 të rënies tuaj,rënies së bashkëluftëtarëve tuaj e të mijë dhe civilëve të këtij fshati  është e turpshme dhe e dhembshme! Andaj,Komandant dua të raportoj se dikush po dëshiron t’ i mohojë ngjarjet e Reçakut ! Dhe jo veç zyrtarë të qeverisë së Serbisë kriminale,por edhe zyrtar të lartë të  shtetit të Kosovës…! Në përvjetorin e këtij viti,çuditërisht nuk është ftuar as “Radio Kosova e Lirë “nga ana e zyrtarëve që “çliruan komunën e Shtimes” pas kaq vitesh, e as nuk u leju UÇK të jetë pjesë e folësve…!!!

Komandant  i dashur,

pusho i qetë se  se Masakra e Reçakut as nuk mund të mohohet, dhe as nuk duhet të modifikohet ajo që ndodhi në këtë fshat të Kosovës në janarin e acartë të vitit 1999 është e shkruar me gjakun e dëshmorëve e të martirëve! Ajo që ndodhi në Reçak dhe qëndresa heroike e UÇK-së përball bandave kriminale shtetërore serbe dhe gjithë mizoritë e kryera atje në janar të vitit 1999 janë të dokumentuara mirë. Ato i ka dokumentuar me obduksion tepër profesional, mjeku i luftës Vezir Bajrami.

Komandant Ahmet,

përpjekja për mohimin e këtyre fakteve bazike dhe përpjekja për të heshtur qëndresën përballë  krimeve sjellin dhimbje të re për bashkëluftëtarët,për të mbijetuarit, çnderojnë viktimat dhe mbajnë të freskëta plagët dhe shkaktojnë dhembje e plagë të reja!

Pse krerët e shtetit luftojnë kontributin, luftën e qëndresën e UÇK-së?!

I dashur komandant,

Me motivoj për t’ ua shkruar  këtë letër një shkrim i djalit tuaj Komandanti im i Brigadës 161. Djali juaj, Festim Kaçiku , ky fëmija nga fotoja  që po e postoj(çunaku njomak-tash i burrëruar, djali juaj pranë  varrit tuaj Hero i Kombit dhe dëshmori i UÇK-së) para pak ditësh ka shprehur mllefin ndaj krerëve të shtetit që s’i përmenden ushtarët e UÇK-së! Festimi  ka sjellë edhe ndjesinë time duke  shprehur habinë e të gjithë bashkëluftëtarëve tuaj se “pse ,askush nga politikanët nuk i përmendën dëshmorët e Reçakut në ditën e përkujtimit të masakrës…?!” Botërisht dihet se në ditën kur para  23 vitesh ngjau masakra e Reçakut, dhe janë 24 vite dhimbje, malli për  45 civil ndër ta, burra, gra, pleq e fëmijë… Por, në këtë ditë të përgjakshme, edhe nga rreshtat e Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës ranë 11 luftëtarë të lirisë që ranë ballë për ballë me bandat serbe!-pjesëtarë të  UÇK-së…Për çdo 15, 16, 17 ,18 dhe  19 janar  kujtohen këto pesë ditë të vitit  1999,por unë sot  bashkëndiej mllefin e të birit të bashkëluftëtarit tim më të afërt, edhe për faktin se jam njeriu i fundit nga Brigada 161 që jam ndarë nga Komandanti dhe kam marrë urdhrat e fundit nga ai…

Jetëshkrimi i komandant Ahmet (Shaban) Kaçikut (15.1.1964-19.1.1999)

Ahmeti erdhi në jetë dhe ju shtua një pushkë fisit Kaçiku, nga Bitia e Epërme e komunës së Shtërpcës, më 15 janar 1964. Me këtë trim më kishin ngjarë dy rastësi: ne kishim  lindur në të njëjtën ditëlindje dhe ditën e rënies jam njeriu  i fundit që jam ndarë nga ai  me rastin e nisjes në front…Komandanti më rrëfeu për gjithë zhvillimet në krahun e luftimeve ku ai ishte në ballë dhe më ngarkoi me urdhrat dhe  detyrat e fundit për pozicionimin tim dhe udhëheqjen e luftimeve nga ana e Kodrës së Madhe… Atdhetarizmi i Ahmetit kishte një trashëgimi. Në ato anë do të shquhej gjyshi i dëshmorit, Bajrami, një luftëtar i dalluar, në luftë për mbrojtjen e trojeve shqiptare. Ky atdhetar i devotshëm në këtë frymë u rritë dhe u edukua nga babë Shabani dhe e ëma Velime Kaçikut, një shqiptare tepër e veçantë! Ahmeti edhe gjatë shkollimit do të shquhej për zgjuarsi dhe sukses. Në formësimin e  tij atdhetar,gjurmë kishte lënë bëmat e gjyshit Bajram,. Shumë here më kishte rrëfyer për përballjet e tij me  pushtuesit serb . Ahmeti kishte mbaruar shkollimin e mesëm. Ndërkaq, me shpërthimit të demonstratave, më 3 prill të vitit 1981, Ahmeti me shokët kishte dalë në mënyrë të organizuar në qytetin e Ferizajt. Me gjithë përpjekjet e disa arsimtarëve për t’i penguar nxënësit që të mos dilnin në demonstratë, Më 1983, Ahmeti regjistroi Shkollën e Lartë “Xhevdet Doda” në Prizren, në drejtimin fizikë-matematikor. Dhunshëm në qershor të këtij viti, detyrohet të shkojë në shërbimin ushtarak, në Doboj të Bosnjës. Pasi e kreu shërbimin ushtarak në armatën jugosllave, më 1984, Ahmeti, edhe pse i kishte dhënë gjashtë provime në Shkollën e Lartë Pedagogjike “Xhevdet Doda” në Prizren, Dhunshëm e dërgojnë në shërbim ushtarak. Pas kthimit ai u dënua me  burg për veprimtari politike. Pas kryerjes së burgut, shkon në Perëndim. Një rast kur ai kthehet për pushim në vendlindje ,në dhjetor të vitit 1994, kur Ahmeti po kthehej në Kosovë, në kufirin Maqedoni- Kosovë, policia serbe ia merr pasaportën. Si shkas i konfiskimit të pasaportës ishte vula në Qafë Thanë me rastin e vizitës së tij në Shqipëri dy vjet më herët. Më vonë, për ta mbajtur familjen, Ahmeti u detyrua të punojë punë ndërtimtarie.

Gjatë vitit 1997, gjendja ekonomike për familjen Kaçiku ishte bërë shumë e rëndë, prandaj Ahmeti emigroi sërish në Perëndim. Mirëpo,kur u dha Kushtrimi në Prekaz në marsin e vitit 1998, dhe kur pushka e  komandantit legjendar, Adem Jashari dhe të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së u dëgjua në mërgim ,ai vendos të kthehet e të rreshtohet në radhët e UÇK-së!… Ahmeti bashkë me luftëtarë të shquar të lirisë, më qershor të vitit 1998 , nisen për në qytetin e Bajram Currit e prej aty në Tropojë. Ahmet Kaçiku së bashku me shokët e tij, po atë natë, hyri në Kosovë, nga drejtimi i Rrasës së Zogut e Pishave të Junikut dhe pas nëntë orë udhëtimi,derisa  arrin në Junik, prej ku vazhdon rrugën për në Zonën e Pashtrikut. Ahmeti vendoset në zonën e Budakovës. Më 12 korrik, ai e vizitoi familjen e tij në fshatin Biti e Epërme dhe pas dy ditësh, nga atje u kthye në front së bashku me motrën Lumnie dhe me gjashtë bashkëfshatarë..Komandant Ahmeti ka vepruar në Pikën e Dardhishtës, afër Muhlanit, dhe në lagjen Buzhalë të Budakovës, ku tregoi zotësi ushtarake. Me formimin e pikës ushtarake në Rokopeq, Ahmeti emërohet komandant toge. Ai, së bashku me luftëtarë, ngarkohet ta sulmojë Antenën, e cila ishte një pikë strategjike e armikut. Janë të freskëta edhe luftimet për  Kaçikun te Guri i Dellocit, në Vraniç, si dhe në pikat në Dardhishtë, Muhlan, në Qafë të Duhlës e në shumë vende të tjera. Asokohe, Ahmetin e emërojnë zëvendëskomandant të Njësisë Speciale në zonën e Budakovës. Në muajin shtator ai transferohet në detyrë përgjegjësie në Jezerc. Në Zonën Operative të Neredimes, tashmë po vepronin luftëtarët e njohur. si: Naim Beka, Agim Matoshi (dëshmorë), Shukri Buja, Imri llazi, Xhafer Gashi, Gani Asllani, Sadik Halitjaha e të tjerë.

Në fund të muajit nëntor të vitit 1998, me propozimin e Komandës së Zonës së Nerodimes dhe me vendim të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Ahmeti emërohet komandant i Brigadës 161, në Shtabin e së cilës u emëruan edhe Nebih Musliu-Abazi, Ragip Gjoshi-Leka, Ekrem Metushi-Rrapi… për t’u zgjeruar e forcuar më vonë….Selia e Komandës së Zonës Operative të UÇK-së dhe e Brigafës 161 (në objekte të ndara) ishin vendosur në fshatin Mollapolc. Ahmeti kishte udhëhequr dhjetëra beteja e aksione, në të cilat u dallua për strategjinë taktiko-ushtarake kundër forcave serbe. Në fillim të muajit janar të vitit 1999, në këtë zonë UÇK-ja ndërmori shumë aksione ushtarake kundër armikut. I dëshpëruar nga humbjet e vazhdueshme në terren, armiku ndërmori fushatë ushtarake kundër pozicioneve të UÇK-së dhe kundër popullatës civile në fshatin Reçak.

Janari i acartë i 1999-s

Në orët e hershme të mëngjesit të 15 janarit . pas një luftimi të ashpër me njësitin e Reçakut, forca të mëdha ushtarako-policore dhe paramilitare serbe arrijnë të futen në fshat. ku masakruan 45 shqiptarë, në mesin e të cilëve kishte fëmijë, gra, pleq e të sëmurë. Kjo datë ishte edhe ditëlindja e komandant Ahmetit. Atë ditë ai ishte në vijën e frontit. mbi Gurin e Bagdashit. në mbrojtje të pozicioneve. Një ditë më vonë, me ushtarët e tij ndërmori aksionin për mbrojtjen e kufomave, të cilat ishin çuar në xhami të fshatit, në pritje për t’u varrosur. Pas katër ditë luftimesh të ashpra kundër forcave serbe, më 19 janar 1999, komandant Ahmeti Kaçiku bie heroikisht ballë për ballë me forcat e armikut.

Ne bashkëluftëtarët, komandantin Ahmet Kaçiku e varrosem më 21 janar të vitit 1999, në Varrezat e Dëshmorëve, në MoIlapolc. Amanetin e tij, bashkëluftëtarët e lirisë e vazhduan edhe më të fortë edhe më të organizuar, deri në fitore. Pas luftës, më 28 shtator të vitit 1999, është bërë rivarrimi. Eshtrat e tij prehen në Varrezat e Dëshmorëve në Ferizajt. Ahmeti ishte i martuar me Mexhiden dhe ka lënë fëmijët: Arbënoren, Festinën dhe Festimin. Në vendin e rënies, te Guri i Bagdashit, në Reçak dhe ndërmjet fshatrave Firajë e Brod, janë ngritur dhe zbuluar pllaka përkujtimore. Komandant Ahmet Kaçiku, pas luftës, nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së është nderuar me gradën general major. Ky dëshmor është shpallur Hero i Kombit  dhe është kthyer përjetësisht i bronztë në qendër të Ferizajt.

Gjenocidi në Reçak

24 vjet më parë u luftua pesë ditë pandërprerë ballë për ballë UÇK-në në mbrojtje dhe kriminelët në gjenocid… Nga 15 janari deri më 19 janar të vitit 1999 në Reçak të Shtimës,  në përpjekje për ta mbrojtur popullatën e rrezikuar në mënyrë fatale nga barbarët serbë kanë rënë dëshmorë, luftëtarët e UÇK-së të Zonës Operative të Neredimës:  Ali Beqa nga Pusteniku i Kaçnikut, Ismail Luma nga Kraishta e Lypjanit,  Mehmet Mustafa,  Shaqir Berisha,  Kadri Syla, Enver Rashiti, të gjithë nga Reçaku, Skënder Çarri nga Graiçevci, Nazim Kokallari nga Budakova dhe Sadik Mujota nga Mallapolci. Me rastin e rënies së Sadik Mujotës është vrarë  edhe bija e tij Hanëmshaheja 16-vjeçare.  Janë shpallur dëshmorë edhe të rënët e asaj dite: Hasan Bilalli, Sadik Osmani, Nexhat Ramadani dhe Ragip Bajrami.

Më 15 janar të vitit 1999 në  Reçak të Shtimes serbët vranë e masakruan 45 shqiptarë. Atë ditë forcat serbe pasi kishin zënë dhe i kishin arrestuar banorët e fshatit kishin filluar edhe likuidimin dhe masakrimin mizor të tyre.  23 vjet më parë në Reçak, serbët vranë dhe masakruan barbarisht banorët:  Banush Azemi, Ragip Bajrami, Halim Beqiri, Rizah Beqiri, Zenel Beqiri, Lutfi Bilalli, Ajet Emini, Bujar Hajrizi, Myfail Hajrizi, Skënder Halili, Haqif Hysena, Hajriz Ibrahimi, Hakip Imeri, Murtez Imeri, Nazmi Imeri, Mehë Ismajli, Muhamet Ismaji, Ahmet Jakupi, Eshref Jakupi, Hajriz Jakupi, Mehmet Jakupi, Xhelal Jakupi, Jashar Jashari, Raif Jashari, Shukri Jashari, Fatmir Limani, Nexhat Limani, Salih Limani, Bajram Mehmeti, Hanumshahe Mehmeti, Arif Metushi, Haki Metushi, Ahmet Mustafa, Asllan Mustafa, Muhamet Mustafa, Sadik Osmani, Jashar Salihu, Shukri Salihu, Bajrush Shabani Ahmet Smajli, Sheremet Syla, Shyqëri Syla, Bajram Xheladini, Njazi Zymeri… Dhe dikush, pas 23 vitesh i mohon dhe harron…!

E vërteta…

Meqë po flasim për nxjerrjen në pah të së vërtetës, ky është përvjetori i tretë i përkujtimit të Masakrës së Reçakut që sot në mesin tonë nuk janë prezent ata që kanë dhënë kontributin më të madh për liri dhe pavarësi: ish-president, Hashim Thaçi ish-kryetarët e parlamentit, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli, deputeti Rexhep Selimi, komandantët  Sali Mustafa, Nasim Hajradinaj, Hysni Gucati dhe të tjerët. Liridashësit e Kosovës shpresojnë dhe besojnë se kjo gjykatë do të jetë e drejtë dhe e pandikuar nga politika…Besojmë në pafajësi… Besojmë që së shpejto do të kthehen në atdhe…Ata I mungojnë Kosovës!

Reçaku vazhdon të jetë në pritje të nxjerrjes para drejtësisë dhe dënimit të kriminelëve serb- atyre që bënë krime ndaj njerëzve të pafajshëm ! Komandant edhe para 24 vitesh përjetësisht falënderues jemi për V. Voker, i cili gjakun tuaj dhe të bashkëluftëtarëve dhe reçakasëve nuk e la të humbur! Qytetarët e Kosovës e  falënderojnë njeriun që krimin e pagëzoi me emër të vërtet – gjenocid – krim mbi njerëzimin! Ky njeri është ndër më meritorët që demantojë ata që tentuan ta shtrembërojnë historinë !

Tashmë, presim dokumentimin shkencor të ngjarjeve  me Librin që do të publikojë së shpejti! Ky është miku ynë i madh dhe dëshmitari më I çmuar për  Reçaku. Krim Kundër Njerëzimit dhe gjenocidi ndaj popullit shqiptar nuk lejoi ta mbuloi pluhuri i harresës…E vërteta nuk hyn në thes!

Më fal komandant që ju mërzita!

Lavdi martirëve dhe dëshmorëve të kombit!

Reçak, janar 2023

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj, ka bërë ftesë…