I jepet lamtumira e fundit gazetares Ardita Sylejmani-Bllaca
Të dielën në varrezat e qytetit të Prishtinës në lagjen ‘Arbëria’ është varrosur gazetarja Ardita Sylejmani-Bllaca, e cila të enjten e kaluar ndërroi jetë si pasojë e komplikimeve gjatë lindjes. Shumë qytetarë, familjarë, e kolegë u mblodhën për t’i dhënë lamtumirën e fundit 32-vjeçares Sylejmani-Bllaca.
Në emër të familjes Sylejmani-Bllaca ka folur axha i saj, Fehmiu. “Ardita nuk ishte vetëm e jona, ajo ishte e gjithë folësve shqip, që kanë hapur atë dritare dhe kanë dëgjuar zërin e saj. Kërkojmë si familje t’ia bëni hallall”, ka thënë ai.
Ardita Sylejmani-Bllaca vdiq në Budapest të Hungarisë. Që nga viti 2010 ajo ka punuar gazetare në Radio Televizionin e Kosovës. Ishte bashkëshortja e Shpend Bllacës, i punësuar në stafin diplomatik të Kosovës në Hungari. Ajo la pas vetes bashkëshortin dhe tre fëmijë. (ksp)