I riu nga Kamenica që vdiq nga Covid-19 nuk vuante nga asnjë sëmundje

30 korrik 2020 | 21:46

Familjarët e të riut nga Kamenica, i cili vdiq nga Covid-19, kanë njoftuar se i ndjeri nuk vuante nga asnjë sëmundje. Familjarët e Bersant Rahimajt thonë se i riu, pas 10 ditësh luftë me Covid-19, nuk i mbijetoi kësaj sëmundje dhe se u neglizhua për testim.

Trupi i pajetë i 27-vjeçarit nga Kopernica e Kamenicës u soll nën mbikëqyrjen e policisë në varrezat e fshatit, një ditë pasi vdiq në Klinikën e Mjekësisë Sportive si pasojë e koronavirusit.

I riu që ushtronte profesionin e arkitektit u varros me pikëllim të madh të familjarëve.

Pasi iu dha lamtumira Bersantit, vëllai i tij, Burim Rahimaj, tha se ai nuk kishe asnjë sëmundje tjetër.

Sa i përket trajtimit, ai pohon se janë të kënaqur me punën e profesionistëve shëndetësorë në Mjekësinë Sportive, ku Bersani ka qëndruar në intubim për tetë ditë.

Por ai shpreh pakënaqësi në lidhje me testimin e vëllait të tij të ndjerë.

Bersanti Rahimaj para se të trajtohej në QKUK ishte mjekuar edhe në Gjilan, ku përnjëherë i ishte vështirësuar gjendja duke rënë në komë.

I pari i Kamenicës, Qendron Kastrati, pohon se Bersanti ishte më i riu në mesin e të infektuarve me Covid 19 në Kamenicë.

Në ceremoninë e varrimit, e cila ishte caktuar në kohë të faljes së drekës, të pranishmit u udhëzuan ta mbajnë distancën fizike mes njëri-tjetrit.

Pas varrimit, për shkak të parandalimit të përhapjes së virusit korona, familja dhe përfaqësuesit fetar pohuan se nuk do të hapen dyert për ngushëllime.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
303 persona të prekur me Covid-19 në katër javët e…