Ikja e të rinjve, nga shqetësuese u bë normale

11 maj 2023 | 20:53

Reagime të shumta ka zgjuar deklarata e zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, i cili ka deklaruar se është diçka normale, largimi i qytetarëve nga vendi.

Por, ku partia e Bislimit, ishte në opozitë, ikjen e të rinjve nga Kosova e konsideronte si diçka shqetësuese, duke akuzuar pushtetet e kaluara për një gjë të tillë. Nga opozita aktuale, situatën e largimit të qytetarëve nga vendi e konsiderojnë si tepër të rëndë, derisa sociologët numërojnë arsyet pse po ndodhë një gjë e tillë.

Ka ndryshuar vetëm forma e largimit, por jo edhe interesimi për ta braktisur Kosovën.

Gjithashtu, ka ndryshuar edhe arsyetimi për ikjen e të rinjve në perëndim.

Në vitet 2014, 2015, 2016 e tutje, mijëra të rinj kishin zgjedhur mënyra të ndryshme të largimit nga Kosova, për çka akuzohej pushteti i atëhershëm për siç thuhej “mbytjen e shpresës”.

Më e zëshmja ishte Lëvizja Vetëvendosje, me ç’rast një gjë të tillë e konsideronte shqetësuese.

Ishte vet lideri i këtij subjekti politik, Albin Kurti që thoshte se të rinjtë po largohen nga Kosova për shkak të skamjes e mjerimit.

Por, kur tashmë kanë ndryshuar rolet dhe kur kryeministër i Kosovës, është pikërisht Albin Kurti, ikja e qytetarëve nga vendi vazhdon me trend gjithnjë në rritje.

Madje, viteve të fundit, përveç të rinjve, nga Kosova janë duke u larguar edhe nga profesionistët e fushave të ndryshme.

Për dallim nga koha kur ishin në opozitë, eksponentë të Lëvizjes Vetëvendosje në pushtet, një gjë të tillë tashmë e konsiderojnë si “diçka normale”.

Derisa, ikjen e qytetarëve nga Kosova, opozita e sotme e konsideron shqetësuese.

Shefi i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se situata është shumë e rëndë dhe se sipas tij, njerëzit po e lënë vendin për shkak se nuk po ia dalin të sigurojnë jetesën në Kosovë.

Ndërkaq, ligjëruesi i politikave sociale, Artan Mustafa, ka thënë se nga viti 2011 e deri më 2021, rreth 12 % e popullsisë kanë emigruar në vende evropiane, për shkak se sipas tij, shteti i Kosovës, nuk garanton mirëqenie e sigurim shëndetësor.

Me liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, që do të hyjë në fuqi nga janari i vitit të ardhshëm, paralajmërohet rritja e njerëzve që do ta braktisin vendin për të migruar në vende të ndryshme evropiane.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Besa Famgas e ka fituar me rezultat bindës ndeshjen e…