Ilir Ibrahimi: Partneriteti i plotë nuk mund të arrihet me hapa gjysmakë

28 shkurt 2020 | 11:29

Njohësi i proceseve politike në vend, Ilir Ibrahimi, ka reaguar pas vendimit të kryeministrit Albin Kurti që njëherë taksa ndaj Serbisë të hiqet pjesërisht.

“Heqja e pjesërishme e taksës nuk do të pranohet nga administrata amerikane sepse ata nga lidershipi kosovar po e kërkojnë një partner të plotë dhe jo një gjysmë partner. Këtë partner ata po e kërkojnë për të arritur një objektiv, njohjen e ndërsjellë ndërmjet Kosovës e Serbisë, që është bërë shumë e qartë nga njeriu i parë i kësaj administrate, presidenti Trump. Zërat kritikë e dyshues shpesh çuditën pse gjithë ky presion ndaj Kosovës dhe jo ndaj Serbisë? Kjo do të duhej të ishte e qartë nëse zhvillimet i shohim pak përtej interesit dhe aktualitetit të tanishëm”, ka shkruar Ibrahimi në llogarinë e vet në “Facebook”.

Ai ka shtuar se hiq më pak se para 20 vjetësh, ShBA-ja e bombardoi Serbinë për të çliruar dhe pavarësuar Kosovën.

“Sot nga kjo Kosovë, ShBA e kërkon një partner 100% për të mundur më pas ti bëj gjithë presionin e nevojshëm Serbisë për ta njohur Kosovën. Kaq e thjeshtë është. Në betimin e dhënë në Kuvendin e Kosovës, deputetët dhe qeveria e Kosovës janë zotuar se do ti mbrojnë interesat dhe sovranitetin e Republikës. Partneriteti me ShBA është interesi më vital i Republikës dhe këtë nuk e mohon asnjë deputet apo anëtar i qeverisë. Prandaj çdo qytetar sot ka plotë të drejtë të kërkojë nga ata të zgjedhur që ta përmbushin betimin e tyre. Nuk është koha për kalkulime të momentit por për vendime të guximshme dhe në interes të vendit”, ka shkruar Ilir Ibrahimi.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, Naser Ramadani, ka…