Irani ndalon internetin, protestat vazhdojnë në mbarë vendin

19 nëntor 2019 | 14:33

Kombet e Bashkuara i kanë kërkuar Teheranit të frenojë përdorimin forcës kundër demonstruesve dhe të rivendosë shërbimin e internetit.

Vendi është përfshirë nga protestat, të nxitura nga një rritje e çmimeve të benzinës, që kanë lënë dhjetëra njerëz të vdekur.

Duke folur para gazetarëve në Gjenevë, më 19 nëntor, zëdhënësi për të drejtat e njeriut i Kombeve të Bashkuara, Rupert Colville, ka shprehur shqetësim të thellë për përdorimin e municionit nga ana e Iranit gjatë përleshjeve me protestuesit dhe e quajti rritjen e numrit të viktimave si “shumë serioze”.

Zyrtarët iranianë kanë raportuar për vdekjen e 12 protestuesve dhe pjesëtarëve të forcave të sigurisë së Iranit.

Ata kanë thënë se më shumë se 600 njerëz janë arrestuar që nga nisja e protestave, më 15 nëntor, pasi qeveria njoftoi se ishte duke kufizuar blerjen e benzinës dhe shkurtimin e subvencioneve.

Sidoqoftë, Colville ka cituar raporte që tregonin se dhjetëra njerëz janë vrarë.

Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione të ashpra ndaj Iranit, menjëherë pasi presidenti amerikan, Donald Trump, ka tërhequr në mënyrë të njëanshme ShBA-në, nga një marrëveshje bërthamore e vitit 2015.

Më parë, zëdhënësi i gjyqësorit në Iran, Gholamhossein Esmaili, ka thënë se “qetësia është rikthyer në vend”. Por, situata mbetet e paqartë kryesisht për shkak se autoritetet e ndaluan qasjen në internet.

Brian Hook, i dërguari i posaçëm i Uashingtonit për Iranin, ka thënë Shërbimit iranian të “Radios Evropa e Lirë”, se Shtetet e Bashkuara po punojnë për të ndihmuar iranianët të anashkalojnë ndërprerjen e Internetit, që ka kufizuar postimin e videove dhe komunikimin ne rrjete sociale.

“Ne mendojmë se do të ndihmojmë disa njerëz të lidhen me internet në mënyrë që ata të mund të vazhdojnë të postojnë videot e tyre (të protestave)”, ka thënë Hook.

Në 18 nëntor, agjencitë e lajmeve gjysmë-zyrtare iraniane “ISNA” dhe “Fars” kanë raportuar se tre anëtarë të forcave të sigurisë u qëlluan për vdekje nga protestuesit afër Teheranit.

Sipas raportimeve, në mesin e të vrarëve është një komandant i Trupave të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) dhe dy anëtarë të forcës paraushtarake të Basij.

Ndërkohë, gazeta e linjës së ashpër “Keyhan” ka raportuar se organet e gjyqësorit po konsiderojnë “ekzekutimin me varje të udhëheqësve të trazirave”.

IRGC ka paralajmëruar protestuesit për veprime “të vendosura” nëse trazirat nuk pushojnë, ndërsa udhëheqësi suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, i ka quajtur demonstruesit “banditë” dhe për trazirat fajësoi armiqtë e huaj të Iranit, përfshirë Shtetet e Bashkuara.

Shtëpia e Bardhë e ka dënuar “përdorimin e forcës vdekjeprurëse dhe kufizimet e komunikimit të përdorura kundër demonstruesve” dhe ka thënë se ajo mbështet “popullin iranian në protestat e tyre paqësore”.

Një zëdhënëse e kancelares gjermane, Angela Merkel, i ka quajtur protestat “të ligjshme”.

Irani, është vendi i katërt me rezervat e naftës së papërpunuar në botë dhe mban ende disa nga çmimet më të ulëta të karburantit, të mundësuara nga subvencionet qeveritare.

Çmimet e benzinës me vendimin e ri janë rritur për 50 për qind.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ditë më parë, Batalioni i Parë i Brigadës së Reagimit…