Ish-ministrja ankohet se ka persona që paguhen pa shkuar në punë

18 tetor 2021 | 15:47

Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike të hënën ka shqyrtuar Raportin vjetor të auditimit për vitin 2020.

Të ftuar në këtë komision ishin ministri i Financave, Punës dhe Transfereve Hekuran Murati dhe auditorja e përgjithshme  e Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA), Vlora Spanca.

Spanca para deputetëve ka prezantuar raportin e auditimit, duke theksuar rëndësinë e këtij raporti dhe konkluzionet e nxjerra.

“Fokusi jonë kryesor ka qenë transparenca dhe kontrolli i zbatimit të rekomandimeve në kuadër të këtij raporti. Konkluzioni jonë është se po bëhen përmasime në llogaritë financiare. Mund të them që gjendja më e rënduar e raportimit financiar vazhdon të jetë te ndërmarrjet publike. Raporti i prezantuar sot është raporti i prezantuar nga qeveria për vitin 2020 që përmban 90 raporte dhe 12 auditime publike dhe 11 auditime të performancës”, ka thënë Spanca.

Më tutje, Spanca ka thënë se tashmë kanë nisur planin e veprimit për raportin e auditimit nga qeveria.

“Tashmë kemi pranuar planin e veprimit për raportin e auditimit nga qeveria për vitin 2020 dhe presim që të nisim punën”, ka thënë ajo.

Ndërsa ministri i Financave, Punës dhe Transfereve,  Hekuran Murati, ka thënë se kjo ministri ka përgatitur planin e 38 rekomandimeve që kanë të bëjnë me llogaridhënien dhe transparencës.

Në anën tjetër, kryetarja e këtij komisioni, Hykmete Bajrami, ka adresuar disa nga problemet që ka parë në raport. Ajo ka thënë se është dashur që kjo ministri të kompensojë 44 milionë euro.

“Është dashur që të kompensohen 44 milionë euro, por që ndoshta kjo e zbutë pak sepse ka ndikuar edhe situata pandemike. Ne si komision kemi vendosur që pas shqyrtimit të këtij raporti të merremi me të gjitha organizatat buxhetore”, ka thënë Bajrami.

Kurse drejtori i Thesarit të shtetit, Ahmet Ismaili është përgjigjur në pyetjen e Bajramit lidhur me pasqyrat financiare, duke theksuar se ka nevojë për rishikim.

“Nuk pranojmë që sistemet paralele të keqpërdoren, por edhe të hyrat e pasqyrave financiare kanë nevojë për rishikim. Ne kemi vënë në theks se ky numër nuk duhet të jetë por që pasqyrat financiare e japin një gjë të tillë”, është shprehur Ismaili.

Deputeti Vetëvendosjes, Eman Rrahmani, ka pyetur ministrin Murati rreth problemeve që organizatat buxhetore kanë  në sistemin elektronik “E-pasuria”, për të bërë deklarimin e pasurisë.

“Deklarimet në sistemin ‘E-pasuria’ një ndër raportimet është se ky sistem lëshohet vetëm për pesë ose gjashtë ditë ku organizatat buxhetore e kanë problem për me i raportuar pasuritë. Po ashtu dua të pyes ministrin tek financimi apo huamarrja  a keni arritur me nxjerr që sa është vlera që Kosova ka paguar pa e shfrytëzuar as edhe një cent nga huamarrjet”, është shprehur ai.

Në vazhdim, ministri Murati ka thënë se nuk ka një shifër të saktë të tarifave, por që përafrohet në 2 deri  në 3 milionë euro, tarifa që janë dhënë në dispozicion dhe nuk janë shfrytëzuar.

“Sa i përket tarifave që kanë paguar nuk e kam këtë të dhënë, por nëse është për pesë vitet e fundit mund të përafrohet tek 2-3 milionëshi pra bëhet fjalë për tarifat e zotimit që janë dhënë në dispozicion dhe nuk janë shfrytëzuar.

Në këtë takim, Hykmente Bajrami, ka pyetur ministrin Murati se çfarë është punuar për tarifat dhe shpronësimet e rrugës Kiev-Sahaq, raporton “EO”.

“Sa i përket projektit të rrugës Kiev-Sahaq e dimë që ka keqpërdorime të shpronësimit dhe jemi duke e rishikuar edhe këtë”, është shprehur ministri Murati.

Ndërsa drejtori i Thesarit lidhur me problemet në sistemin “E-pasuria” ka bërë me dije se është në dijeni për to.

Në fund, Bajrami ka pyetur drejtorin e Thesarit se a është në dijeni që ka persona që nuk janë duke punuar, por janë duke u paguar. Me këtë rast, drejtori i Thesarit ka thënë se nuk dëshiron të përfshihet aspak.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani, i është…