Ja për çfarë i reagon Vetëvendosje kryeprokurorit Lumezi

20 mars 2019 | 14:30

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar ndaj kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi në lidhje me ushtrimin e funksioneve të shumëfishta në institucionet shtetërore.

Kjo lëvizje nëpërmjet një reagimi publik, ka theksuar se Lumezi mban shtatë pozita publike.

Ndryshe, një ditë më herët Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, duke i përgjigjur akuzave të deputetes Albulena Haxhiu, ka bërë me dije se në opinionin juridik të Agjencisë Kundër Korrupsionit (AKK), i datës 9 korrik në lidhje me kërkesën e kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, për ushtrimin e funksioneve publike, është thënë: “Nuk ka konflikt interesi në ushtrimin e funksionit të Kryeprokurorit të Shtetit dhe funksioneve; Anëtar i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Anëtar/ Kryesues i Këshillit Drejtues të Akademisë së Drejtësisë, Anëtar i Bordit Drejtues të Njësisë së Inteligjencës Financiare, Anëtar i Bordit të Akademisë së Kosovës për Siguri Publike, si dhe nuk ka konflikt interesi të qenurit kryetar i Komisionit për Provim të Jurisprudencës”.

Reagim i plotë i Vetëvendosjes mbi qëndrimin e zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit:

Në konferencë për media, më 18 shkurt paraqitëm qëndrimet tona në raport me pozitat e shumëfishta të zyrtarëve të lartë publikë, ndër të tjera edhe për pozitat e shumëfishta të kryeprokurorit të Shtetit, z. Aleksandër Lumezi.

Një ditë më pas Zyra e Kryeprokurorit reagoi duke iu bërë mbulesë punësimit të shumëfishtë të z. Lumezi.

Së pari, kushdo në Kosovë pret nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, njoftime për veprimet konkrete në luftim të krimit të organizuar dhe korrupsionit e jo justifikime për 7 pozitat e Kryeprokurorit.

Së dyti, është absurde të besosh që një kryeprokruror i cili mban 7 pozicione, të jetë efikas në kryerjen e detyrave primare të kryeprokurorit të shtetit.

Së treti kryeprokurori ka konflikt të interesit sipas ligjeve në fuqi për pozitat e shumëfishta drejtuese që aktualisht i mban.

Së katërti Kryeprokurori duhet të jetë shembulli kryesor për të gjithë prokurorët e tjerë se si respektohet etika, ligji dhe misioni i prokurorit e jo të shfrytëzojë çdo justifikim procedurial për përfitim vetjak.

Së pesti, kryeprokurori dhe prokurorët duhet të jenë në nivelin e detyrës dhe gjatë orarit zyrtar ta kenë prioritet punën e tyre, në mënyrë të papenguar.

Po meqë Kryeprokurori është larg të qenit shembull i mirë, i rikujtojmë atij dhe zyrtarëve të tjerë të lartë se sipas Ligjit për parandalimin e konfliktit të interesit neni 13 par. 2 theksohet se:

2. Zyrtari i lartë nuk mund të jetë anëtar i më shumë se një organi drejtues të ndërmarrjes në pronësi publike, shoqërisë aksionare me pronë publike si dhe organeve të institucioneve të tjera publike, përveç nëse parashihet ndryshe shprehimisht me ligj. Zyrtari i lartë, në cilësinë e anëtarit të organeve të përmendura në këtë paragraf, nuk ka të drejtë shpërblimi me pagesë, përveç të drejtës në kompensimin e shpenzimeve të udhëtimit dhe shpenzimeve të tjera të lidhura me të.

Kryeprokurori Lumezi mban këto pozita:

1. Kryeprokuror i Shtetit,

2. Anëtar në Këshillin Prokurorial të Kosovës,

3. Anëtar i bordit të Akademisë policore në Kosovë,

4. Kryetar i Komisionit për Provimin e Jurisprudencës,

5. Kryetar i Këshillit Drejtues të Akademisë së Drejtësisë,

6. Kryetar i Komisionit për mbrojtjen e dëshmitarëve

7. Anëtar i bordit drejtues të Njësisë së Inteligjencës Financiare.

Si dhe sipas po të njëjtit nen, zyrtari nuk ka të drejtë shpërblimi me pagesë, përveç kompensimin e shpenzimeve të udhëtimit dhe shpenzimeve të tjera të lidhura me të.

Nëse kryeprokurori po paguhet për të gjitha këto pozita – në dijeni tonë po ndodh – sipas kodit penal të Republikës së Kosovës është duke konsumuar veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare dhe atë të konfliktit të interesit.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK),…