Kastrioti e Prishtina fitojnë thellë, drama në Gjilan i takon Vushtrrisë

30 shtator 2018 | 09:31

Kastrioti e Prishtina nuk kanë pasur telashe për të fituar ndeshjet e javës së tretë të Superligës së Kosovës në hendboll. Kastrioti i Ferizajt fitoi me 20 gola dallim ndaj Drenicës në Drenas (35:15), ndërsa Prishtina e mposhti Trepçën në Mitrovicë me rezultat  36:21. Këto dy ndeshje janë luajtur të shtunën mbrëma.

Për Kastriotin ishte fitorja e tretë në po aq ndeshje dhe tashmë prinë e vetme në tabelë me 6 pikë.  Por Besa Famgas e Drita, që kanë nga dy fitore, nuk i kanë luajtur ende takimet e tyre të javës së tretë. Për Prishtinën ishte fitorja e dytë. Trepça e ka humbur edhe ndeshjen e tretë të saj, ndërsa Drenica ka një fitore e dy humbje.

Ndeshje dramatike ishte ajo e luajtur në Gjilan në mes të Zhegrës dhe Vushtrrisë. Fitore me një gol dallim, 30:29 shënoi skuadra vushtrriase. Zhegrasit e fituan pjesën e parë me rezultat 14:13, por Vushtrria nuk u dorëzua dhe në fund ia doli të fitoi dy pikë. Vushtrria ka një fitore, një barazim e një humbje, derisa Zhegra i ka humbur tri takimet e deritashme.

Në pjesën e dytë të ndeshjes në Gjilan, Zhegra pati epërsi edhe prej katër golave. Kështu rezultati në minutën e 43-të ishte 23:19 e më pas edhe 24:20. Në minutën e 55-të rezultati ishte 28:25, por djelmoshat vushtrrias të  Izedin Nuhit treguan karakter dhe nuk u  dorëzuan. Në minutën e fundit ia dolën të barazojnë rezultatin në 29:29 e madje edhe të shënojnë golin e fitores, 30:29.

Të dielen (sot) luhet ndeshja në mes të Vëllaznimit e Besa Famgas që fillon në ora 17:00. Takimi Samadrexha – Drita pritet të luhet javën tjetër.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Bashkimi Evropian ka njoftuar se është në kontakt me të…