Kastrioti, fitues i Kupës në hendboll

05 maj 2019 | 23:02

Kastrioti i Ferizajt është fitues i Kupës së Republikës së Kosovës për edicionin 2018\19.

Skuadra ferizajase ka mposhtur Prishtinën në finale me rezultat 28:27. Ndeshja finale ishte shumë e fortë dhe dramatike, ndërsa u luajt të dielen mbrëma në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në kryeqytet para rreth 1500 shikuesve.

Tifozët e hendbollit ishin dëshmitarë të një ndeshje shumë të fortë e poashtu shumë dramatike. Vetëm në aksionet e fundit është caktuar fituesi. Dhe ai është Kastrioti i Ferizajt.
Kastrioti ka fituar Kupën e parë pas plot dhjetë vitesh. Për herë të fundit trofeut të çmueshëm i ishte gëzuar në vitin 2009.

Në pesë vitet e fundit Kupa është fituar nga Besa Famgas që u mposht të shtunën nga ferizajasit. Njëjtë si ndeshja me Besën edhe ajo me Prishtinën ishte cilësore. Në minutën e fundit, kur rezultati ishte 27:26 Prishtina dështoi në sulm. Portieri Arbër Curri shënoi nga porta për 28:26, ndërsa fare në fund Prishtina shënoi për 28:27. Pra ndeshja ishte e hapur deri në fund, ndonëse Kastrioti në pjesën e dytë ishte vazhdimisht në epërsi. Por skuadra e Taib Kabashit nuk u dorëzua deri në fund dhe e kishte rastin për të barazuar, që e lëshoi. Djelmoshat e Verim Zherkës kështu kanë fituar trofeun e parë të edicionit dhe pritet të zhvillojnë luftë të fortë edhe për titull të kampionit. Pjesa e parë e ndeshjes përfundoi me rezultat 15:12 për Kastriotin.

Kastrioti që luajti pa Terziqin e suspenduar, për lojtar më efikas e kishte Lulzim Shabanin me 7 gola. Me gola kontribuan edhe lojtarët tjerë, por mbrojtja e bëri dallimin. Në krye të detyrës ishte portieri Arbër Curri e poashtu Rron Ramadani, Petrit Prekazi, Beni Syla, Pamphile Bassomben e të tjerët. Te Prishtina më efikasët ishin Oltion Beshiri e Albi Gjuka, që e mbajti në lojë skuadrën në momentet vendimtare. Të dy shënuan nga 6 gola.

Kështu me ndeshje të fortë, dramatike dhe në një atmosferë të bukur, i erdhi fundi FINAL 4 të Kupës, që ishte ngjarje shumë e suksesshme, në vazhdën e ngjarjeve plot shkëlqim të Federatës tonë.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gjykata Speciale i ka dërguar ftesë ish-gazetarit të njohur, Nuhi…