Katërvjeçarja që vdiq në QKUK dyshohet të jetë rrahur nga familjarët

20 shkurt 2024 | 21:25

Një 4-vjeçare ka vdekur në QKUK, ku ishte dërguar nga Spitali Rajonal i Gjakovës, pasi ishte përcjellë në gjendje të rëndë shëndetësore.

Familjes, mjekët në Gjakovë i kishin thënë se ajo kishte lëndime në trup, që dyshohet se i kishte marrë nga rrahja prej një të mituri, por pas vdekjes së saj në QKUK, shkak i vdekjes i ishte përmendur një tjetër gjë.

Dyert e shtëpisë i kanë hapur për ngushëllime pas lamtumirës që i dhanë vajzës së tyre katër vjeçare, pasditen e së hënës.

Ditë më parë, Arjana Hajra nga Gjakova, së bashku me të bijën kishin vendosur t’i bënin një vizitë vëllait të saj, me ç’rast të bijën, e kishte lënë jashtë për të luajtur me fëmijë.

Por të njëjtën, më pas e kishte gjetur të shtrirë në tokë.

Sipas Hajrës, vajza i kishte thënë se e kishin rrahur fëmijët e familjarëve që kishin shkuar t’i vizitonin.

“E morra çikën, filloi të qajë. I thash çka ki, më tha ma ka hi Jakupi me dërrasë qitu dhe djali i Sabijes më ka rreh krejt. As ajo s’mkallxoi bash mirë. Tu ardh nuk mund të ecte, ‘oj mam zemra po më dhemb’, e morra në shpi e tash si me fjalë mo, e mora ajo vetëm qante”, ka thënë Hajra.

Gjersa thotë se e ndjera nuk kishte forcë për të qëndruar në këmbë, e njëjta kishte pasur mavijosje në fund shpinë e ënjtje në gjoks.

Pasi e kishte dërguar në Spitalin e Gjakovës, mjekët, familjes i ishte thënë se e njëjta, kishte lëndime të rënda në kokë e në gjoks.

Pas përkeqësimit të gjendjes, katër vjeçarja ishte dërguar për trajtim në QKUK.

Por nëna e saj pretendon e asaj iu dha një shkak tjetër, që për fat të keq, rezultoi me vdekjen e saj.

“Në gjysë nate më ka thirr doktoresha me hy në sallë, ku ka qenë çika. Kom hy kom qëndrua me çikë dhe erdh doktoresha po ma bën, oj zojë nuk e ka prej të rrahurit, ka infeksion të madh. I ka shpërthyer gjakderdhja prej infeksionit të madh”, ka shtuar ajo.

Shkakun e vdekjes nga një infeksion, e përmend edhe Drejtori i Klinikës Emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Naser Syla, por ai nuk ka kthyer përgjigje kur është pyetur nëse 4-vjeçarja, kishte shenja të dhunës në trup.

Nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë, nuk kanë thënë më shumë për rastin sesa që thuhet në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës gjersa nuk kanë dhënë përgjigje për intervistimin e të dyshuarve për rrahjen e të miturës.

Njësoj kanë vepruar edhe nga Prokuroria.

“Ju njoftojmë se është iniciuar rast i hetimit të vdekjes dhe me vendim të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion. Në koordinim me policin janë duke u ndërmarr të gjitha veprimet lidhur me këtë rast”, ka thënë nga Prokuroria Themelore në Gjakovë.

Nëna e të ndjerës ka thënë që vëllai i saj ka mohuar që i biri ka rrahur të ndjerën gjersa i njëjti, siç ka thënë familja, është intervistuar nga Policia e Kosovës.

Dritë mbi rastin që është cilësuar si “hetim i vdekjes”, pritet të hedhë raporti i Institutit të Mjekësisë Ligjore, ku ishte dërguar trupi i saj për obduksion.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Policët i kanë kthyer paratë një qytetari serb që i…