Këshilli i Përgjithshëm i Vetëvendosjes miraton rezolutë për rininë (Dokument)

25 dhjetor 15:32

Këshilli i përgjithshëm i Lëvizjes Vetëvendosje ka miratuar një rezolutë për rininë, ku u bën thirrje atyre të bashkohen me këtë lëvizje.

Teksti i plotë i rezolutës për rininë të miratuar në Këshilli i Përgjithshëm i Vetëvendosjes:

REZOLUTË PËR RININË

Këshilli i Përgjithshëm i Lëvizjes Vetëvendosje!

Duke u përulur para kontributit dhe sakrificave të rinisë së brezave të kaluar të angazhuar për çlirimin e plotë të vendit;

Duke besuar se koha e rinisë nuk është vetëm e ardhmja por e tashmja;

Të bindur se rinia e sotme ka fuqinë, potencialin dhe atdhedashurinë për ta transformuar situatën e rëndë ekonomiko-politike të vendit;

Të vetëdijshëm se të rinjtë përbëjnë pjesën më të madhe të qytetarëve;

Të shqetësuar jashtëzakonisht me faktin se arsimi është goditur fortë nga sistemi neoliberal, që gjithashtu e ka lënë shumicën e të rinjve të papunë e pa perspektivë punësimi;

Duke kuptuar se një pjesë e mirë e të rinjve sot sistemi po i shtyp, po i ndan e po i bën t’i kundërvihen njëri-tjetrit, duke i penguar organizimin që do të rriste solidaritetin e do të mundësonte realizimin e të drejtave të tyre;

Duke theksuar rolin jetik e të pazëvendësueshëm që rinia ka për organizatën dhe realizimin e Alternativës Qeverisëse të Lëvizjes Vetëvendosje!, e cila përveç të tjerash jep edhe zgjidhjen për ndërlidhjen e arsimit dhe punësimit;

Marrë parasysh rrezikun që kanoset nga ikja e të rinjve në migrim, për shkak të mungesës së perspektivës për ta në vendin tonë;

Duke e ditur se të rinjtë (16-29 vjeç) përbëjnë rreth 40% të anëtarësisë së Lëvizjes Vetëvendosje!;
Duke besuar se ndryshimit të shumëpritur në Kosovë e në mbarë kombin shqiptar do t’i prijë rinia;

Këshilli i Përgjithshëm i Lëvizjes Vetëvendosje!:

1. I bën thirrje të rinjve në secilën komunë të Kosovës, në fshat e në qytet, në mërgatë, në trevat shqiptare të Ballkanit e më gjerë, të bashkohen me Lëvizjen Vetëvendosje! në rrugën drejt transformimit emancipues të shoqërisë.

2. Kërkon nga të gjitha organet e Lëvizjes Vetëvendosje! që të përfshijnë dhe të angazhojnë me prioritet aktivistët e rinj në të gjitha proceset vendimmarrëse, ekzekutive, këshillëdhënëse, si dhe në të gjitha aktivitetet publike, përfshirë edhe punën e organizimit në komunitet.

3. Ngarkon ekipin e punës të reformës organizative të shqyrtojë të gjitha praktikat dhe modelet për organizimin emancipues dhe energjik të të rinjve në strukturat e Lëvizjes Vetëvendosje!.

4. Kërkon me ngulm rishikimin dhe përditësimin e të gjitha politikave të Lëvizjes Vetëvendosje! që synojnë mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të të rinjve.

5. Synon të punojë pa u ndalur që vitin e ri 2019 ta kthejë në vitin kur rinia do të marrë në dorë fatin e vet dhe të shoqërisë duke sjell ndryshimin e madh.

Prishtinë, 23 dhjetor 2018

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kanë mbetur vetëm pak ditë nga ardhja e vitit të…