Këshilltari i presidentit thotë se dialogu i paralajmëruar nga Franca dhe Gjermania do ta ketë fatin e vizave

25 maj 2020 | 16:03

Artan Behrami, këshilltar i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se procesi i dialogut i paralajmëruar nga Franca dhe Gjermania do ta ketë fatin e liberalizimit të vizave.

Ai ka thënë se ministrat e jashtëm gjerman dhe francez në editorialin e tyre të para disa ditëve për dialogun Kosovë-Serbi, nuk e përmendin fare çështjen e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

“Ministrat e Jashtëm gjermano-francez nuk përmendin fare liberalizimin e vizave, as njohjen nga Serbia, asnjë fjalë për ndalimin e ç’njohjeve nga Serbia dhe mbi të gjitha asnjë afat kur një proces i tillë mund të përfundojë! Në kohën e thyerjeve të mëdha globale ndërmjet Amerikës dhe Kinës, BE-ja në vend që të kërkojë unitet euroatlantik, ajo po nxitë ndarje, përmes proceseve paralele dhe të pakoordinuara me ShBA-në”, ka shkruar Behrami në llogarinë e vet në “Facebook”.

Postimi i plotë i Behramit:

Gjermania dhe Franca që nga viti 2009 mbajnë kosovarët të izoluar nga lëvizja e lirë. Një proces, të cilin me shtete tjera e kanë përfunduar ende pa e nisur. Politika evropiane e vizave për Kosovën është duke marrë përmasa raciste, duke e açikuar popullin e Kosovës si ‘parashoqëri primitive’ përball ‘shoqërive moderne’ evropiane.

Përmes një OpEd-i, ministrat e Jashtëm të Gjermanisë dhe Francës paralajmërojnë një proces të dialogut Kosovë-Serbi, që duket se fatin do ta ketë të njëjtë me këtë të liberalizmit të vizave. Një rrugëtim i gjatë me një shkëndijë të pasosur në fund të territ izolues, që largësia e saj mund të matet vetëm vite të dritës!

Ministrat e Jashtëm gjermano-francez nuk përmendin fare liberalizimin e vizave, as njohjen nga Serbia, asnjë fjalë për ndalimin e ç’njohjeve nga Serbia dhe mbi të gjitha asnjë afat kur një proces i tillë mund të përfundojë!

Në kohën e thyerjeve të mëdha globale ndërmjet Amerikës dhe Kinës, BE-ja në vend që të kërkojë unitet euroatlantik, ajo po nxitë ndarje, përmes proceseve paralele dhe të pakoordinuara me ShBA-në. (L.G/ Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gabimi i mundshëm fatal i pilotit mund të jetë shkak…