Pasi para dhjetë ditësh u kurorëzua me titullin e kampionit në Sigal Superligë, KFF Mitrovica iu gëzua edhe trofeut të dytë në këtë edicion.

Në ndeshjen finale të Kupës së Kosovës, e cila u zhvillua në Kampin Nacional në Hajvali, mitrovicaset shënuan fitore ndaj KFF Kosova VR, me rezultat bindës, 7:1.

Edhe në këtë ndeshje, ashtu sikurse gjatë gjithë këtij edicioni, vashat e klubit mitrovicas dominuan në fushën e lojës, falë cilësisë dhe përvojës në krahasim me rivalet.

Për Mitrovicën ky është trofeu i shtatë i Kupës së Kosovës. Trofeun për kapitenen Kaltrina Biqkaj e ndau presidenti i FFK-së, Agim Ademi, derisa medaljet për ekipet finaliste i ndanë Vjollca Krasniqi e Ismajl Ajeti, anëtarë të KE të FFK-së dhe administratorja e futbollit të femrave, Valbona Gashi Uka.