Kolegji “Biznesi” përuron tri libra universitare

27 dhjetor 2018 | 20:01

Në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani”, Kolegji “Biznesi” ka përuruar të enjten tri libra shkencore të profesorëve të këtij kolegjit.

Përurimin e këtyre tri librave e ka përshëndetur në emër të kryeministrit Ramush Hajradinaj, këshilltari i tij Jahja Lluka.

Librat që u përuruan trajtojnë çështje nga fusha e dijes shkencore të programeve që janë të licencuar dhe të akredituara në këtë institucion të arsimit të lartë.

Dekani i Kolegjit Biznesi, prof. dr. Shyqeri Kabashi, ka thënë se ky kolegj u ka dalë në ndihmë të gjithë profesorëve të angazhuar në procesin mësimor universitar, duke ua botuar librat e tyre universitare, jo vetëm për nevojat e studentëve por edhe për mbarë opinionin shkencor.

“Deri tani Kolegji Biznesi ka botuar 68 tituj të veprave shkencore, në radhë të parë për nevojat e studentëve të këtij kolegji, pastaj edhe për nevojat e mendimit shkencore që zhvillohet në Kosovë”, ka thënë Kabashi.

Dr. Gjen. Kudusi Lama dhe MA. Sherif Sejdiu kanë botuar librin “Kërkim -shpëtimi në situata emergjence”.

Për këtë libër gjatë përurimit foli njeri nga recensentët, dr. Xhevat Berisha, i cili ka theksuar se ky libër ka rendësi të madhe për aftësimin e kuadrove dhe specialistëve në fushën e emergjencave.

Libri i prof. dr. Musa Limani “Ekonomia e Kosovës nëpër periudha historike” trajton çështjen e zhvillimit të ekonomisë të Kosovës nëpër periudha kohore, duke filluar nga Perandoria Osmane e deri në ditët tona.

Duke trajtuar materiet e këtij libri, recensenti dr. Hakif Bajrami ka thënë se libri i Musa Limanit është një ndihmesë e madhe shkencore për studimin e zhvillimit ekonomik të Kosovës nëpër periudha të ndryshme historike.

Po ashtu ai ka theksuar se pa ekonomi të zhvilluar nuk mund të flitet as për lirinë e plotë të një shtetit, prandaj sipas tij librat e tilla mësojnë si të bëhet pavarësimi i zhvillimit ekonomik te një vendi.

Libri i tretë që u përurua ishte “Sistemi fiskal dhe buxheti i shtetit”, i autorëve dr. Agim Berisha dhe MA. Burim Morina, ku trajtohet njëra prej çështjeve shumë të rëndësishme të krijimit të buxhetit të shtetit, po ashtu edhe të ruajtjes së sistemit fiskal.

Recensenti, prof. dr. Musa Limani, ka folur për strukturën e ndërtimin e këtij libri, për vlerën dhe rëndësinë e saj në planin e afrimit të njohurive për sistemin fiskal dhe mënyrën e krijimit të buxhetit të shtetit.

Në fund, dekani i Kolegjit Biznesi, prof. dr Shyqeri Kabashi, i ka bërë thirrje Qeverisë përmes këshilltarit të kryeministrit Ramush Hajradinaj, Jahja Llukës, që të gjejë rrugë dhe mundësi për të shfrytëzuar dijen e profesorëve dhe shkencëtarëve të Kolegjit Biznesi në fushën e emergjencave, në mënyrë që të shpëtohet vendi, sa nuk ka pasoja shumë të rënda për të ardhmen e Kosovës.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Vështrim Mejreme Shala-Balaj, “Lot zemre”, botues Sh.B. “Lena”, Prishtinë, 2018…