Konjufca, ambasadorëve: A e keni ndryshuar qëndrimin se s’ka Asociacion pa u kthyer serbët në institucione?

23 maj 2023 | 13:46

Kryeparlamentari i Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë se vetë shtetet e Quint-it kanë thënë se nuk ka Asociacion nëse serbët nuk kthehen në institucione. Për këtë deklaratë të ambasadorëve, Konjufca ka pyetur ata nëse kanë ndryshuar mendimin.

Konjufca këtë deklaratë e ka bërë pasi është pyetur nga gazetarët nëse marrëveshja me Serbinë duhet të zbatohet deri në verë.

“Unë i kam dëgjuar vendet e Quint-it që kanë thënë se nuk ka Asociacionin pa u kthyer serbët në institucione. Le të na tregojnë a e kanë ndryshuar këtë qëndrim a jo. Pyesni edhe ata. Unë e kam dëgjuar, mund t’ju pajis edhe me këtë deklaratë. Nuk mund ta kushtëzoni Asociacionin duke e shantazhuar Kosovën”, ka thënë Konjufca.

Më tutje, Konjufca ka thënë se vetë serbët janë përgjegjës që s’u bënë pjesë e një procesi demokratik të zgjedhjeve për të kandiduar e zgjedhur në katër komunat veriore.

Ai ka thënë se Kosovës iu desh të vazhdonte me procedurat pas refuzimit të tyre për të marrë pjesë në zgjedhje.

“Prej Beogradit duhet të vini në Kosovë, të regjistrohuni në Kosovë dhe duhet të merrni pjesë në zgjedhje në Kosovë… Ata nuk e bënë këtë dhe ne vazhduam me rrugën tonë me zgjedhjen e kryetarëve të rinj të komunave. Përgjegjësinë kush e ka? E kanë ata që s’u regjistruan, por që deshën të shantazhojnë prej Beogradit”, ka thënë Konjufca.

Konjufca ka thënë se janë kundër kushtëzimeve në marrëveshjen me Serbinë, duke thënë se neni 2 i marrëveshjes është dashur të zbatohet në momentin që dy palët kanë rënë dakord për të.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka treguar se…