Koordinatori Hoti: Pjesëmarrja në garën nacionale të diturisë ishte masovike

16 maj 2019 | 19:33

Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Republikës së Kosovës, Rexhep Hoti, në një konferencë për media ka shpalosur zbatimin e deritanishëm të fazave të Programit Nacional për Rininë.

Hoti tregoi se gara e Kreativitetit Kulturor dhe Mendimit Kritik ka shkuar në mënyrën më të mirë të mundshme.

Ai ka thënë se në nivelin e shkollës janë rreth 15 000 fitues, ndërkaq në nivelin komunal të garës janë rreth 1 700 fitues.

Pas detajeve për garën e Kreativitetit Kulturor dhe Mendimit Kritik, Hoti foli për garën e Diturisë e cila u mbajt më 11 maj, për të cilën ai tha se është ndarë i kënaqur nga raportet preliminare që ka pranuar nga komunat.

“Ne tashmë kemi pranuar shumicën e raporteve preliminare nga Drejtoritë Komunale të Arsimit. Që të gjitha raportet tregojnë një masovitet të pjesëmarrjes së nxënësve me mbi 95 për qind në garën e Diturisë. Sa i përket testeve, dua t’ju tregoj se janë hartuar gjithsej 346 teste, që kapin rreth 2 500 faqe, me gjithsej 2 863 pyetje me një tirazh 423 000 copë për 23 lëndë për gjuhën shqipe, turke dhe boshnjake. Në mesin e kësaj shumëllojshmërie testesh, gabimet janë të mundshme. Deri tanë ne kemi evidentuar disa gabime dhe kjo kap një shifër prej 0.69 për qind të gabimeve në të gjitha testet”, ka thënë Hoti.

Me këtë rast Hoti falënderoi edhe kryetarët e komunave, drejtorët komunalë të Arsimit, stafin e mësimdhënësve dhe nxënësit që në mënyrë masovike iu përgjigjën garës.

Ndërsa, për garën e Sportit ai bëri të ditur se deri tani nuk është shpenzuar asnjë mjet financiar pasi që, këto gara do të fillojnë në muajin shtator.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, ka reaguar pas miratimit në…