Koordinatori Hoti: Stabiliteti në Ballkan varet nga kreativiteti kulturor, dituria e sporti

10 mars 2019 | 11:15

Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Republikës së Kosovës, Rexhep Hoti ishte i ftuar si panelist në diskutimin mbi bashkëpunimin në fushën e kulturës dhe sportit në procesin e krijimit të stabilitetit rajonal në Ballkan, që u organizua nga Këshilli Kombëtar Boshnjak në Novi Pazar.

Aty Hoti tha se Republika e Kosovës është ndërtuar mbi parimin e respektimit të të drejtave dhe lirive të komunitetit joshumicë.

“Liria e komuniteteve joshumicë është pasuri e komunitetit shumicë. Ne, shqiptarët, nuk na ka penguar kurrë liria e të tjerëve, ne vetëm kemi kërkuar lirinë tonë. Sot jam këtu për të shpalosur programin që s’ka të bëjë me politikë, por ka të bëjë vetëm me nxënësit dhe studentët. Në qoftë se i bashkojmë brezat e të rinjve tanë tash, e formojmë bashkë të ardhmen. Kjo është e drejtë që i takon së ardhmes dhe mbi të cilën ndërtohet ajo. Pra, ne duhet të lidhemi nëpërmjet dijes, sportit dhe kreativitetit kulturor në mënyrë që të thellojmë bashkëpunimin dhe të krijojmë stabilitet dhe paqe në Ballkanin Perëndimor. Duhet t’ju ofrojmë mundësinë nxënësve dhe studentëve të Sanxhakut dhe nxënësve të Republikës së Kosovës ta kenë të përbashkët Lojën dhe Garën në të tria fushat që ofron e Programit Nacional për Rininë”, tha Hoti.

Pjesë e panelit ishte edhe deputetja e Kuvendit të Kosovës, Emilija Rexhepi dhe Kryetari i Komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi të cilët vlerësuan lartë Programin Nacional për Rininë duke thënë se ndikon drejtpërdrejtë në të mirën e të rinjve.

Kryetari i Kamberi u shpreh në mbështetje të programit dhe tregoi se ky program ka filluar të zbatohet në Bujanoc me ç’rast tha se kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me Koordinatorin Hoti.

Në fjalën e vet, anëtari i Këshillit Kombëtar të Boshnjakëve dhe Kryetari i SDA-së foli për rëndësinë e vizitës së delegacionit nga Kosova. “Nga vitet e 90-ta deri tash kemi pritur presidentë, kryeministra, zëvendëskryeministra duke nisur nga Tadiç, Mesiç, Erdogan e plot të tjerë, por ardhja e delegacionit të Republikës së Kosovës është më e rëndësishmja që ndonjëherë ka pasur Sanxhaku, që prej kohës që kur këtu ka ardhur Shaban Polluzha për ta shpëtuar Sanxhakun nga shfarosja totale”, tha Uglanin.

Pas diskutimit, Hoti dhe Uglanin, vunë kurora lulesh pranë pllakës përkujtimore të shtëpisë të liderit politik dhe ushtarak të Sanxhakut, patriotit shqiptar, Aqif Blyta.

Po ashtu, Hoti me delegacionin nga Kosova vizituan edhe Muzeun e Qytetit,objekt ky që gjatë viteve 1941-1945 ishte shkollë shqipe dhe mbante emrin e Naim Frashërit.

Pjesë e delegacionit nga Kosova ishte edhe profesori Nexhmedin Spahiu, udhëheqësi i Shoqatës “Kosova për Sanxhakun”, Ismet Azizi dhe Xhelal Shaqiri, zyrtar ndërlidhës i Zyrës së Kosovës në Beograd.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një avion "Airlines Boeing 737" nga Etiopia është aksidentuar gjatë…