Kosova duhet të fokusohet në sundimin e ligjit, të drejtat e njeriut, arsimi dhe punësimi
Në takimin për Instrumentin e Para Anëtarësimit (IPA) për vitet 2018 dhe 2019, të cilin e ka kryesuar ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, morën pjesë anëtarë të kabinetit qeveritar dhe zyrtarët e Bashkimit Evropian në Kosovë.
Në takim, janë diskutuar prioritetet për përkrahje nga IPA, për vitet 2018 dhe 2019 dhe ishte vazhdimësi e diskutimeve dhe kërkesave që ka pasur nga institucionet ekzekutive.
Në fjalën e saj, ministrja e Integrimit Evropian, ka theksuar se asistenca nga Bashkimi Evropian, si pjesë e instrumentit të para-anëtarësimit duhet të fokusohet në fushat të cilat direkt kanë ndikim në përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve, sidomos duke u fokusuar në sektorët: sundimi i ligjit, të drejtat e njeriut, arsimi dhe punësimi.
“Me qëllim që të investohet më shumë në sektorët përkatës, në bashkëpunim me Zyrën e BE-së në Kosovë, përkrahen me vlerë 81.6 milionë euro, sektorët. Sundimi i ligjit dhe të drejtat fundamentale, Energjia, Mjedisi, Arsimi, punësimi dhe politikat sociale (me fokus në arsim). Përveç këtyre, do të ketë edhe përkrahje me projekte individuale, që konsiderohet se ndihmojnë në kuadër të demokracisë dhe qeverisjes”, ka theksuar Hoxha.
Ajo ka thënë se programi IPA 2019 do të jetë shumë i përafërt me atë të IPA 2018, dhe do të vazhdojë të përkrah sektorët e njëjtë, por shtohen bujqësia, zhvillimi rural, konkurrueshmëria dhe inovacioni.
Hoxha ka bërë me dije se Zyra e BE-së qysh tani ka ftuar që të dërgojmë çfarëdo propozimesh që kemi, të nis procesi i konsultimit edhe para afatit zyrtar.
Ministrja Hoxha ka ftuar përfaqësuesit e institucioneve të ofrojnë sa më parë propozimet, të cilat duhet të kenë prioritet projekte të cilat direkt ndihmojnë qytetarët, nxisin ndërmarrësin sidomos te të rinjtë dhe promovojnë konkurrueshmërinë në treg.
“Ne presim që projektet të iniciohen sa më herët dhe ato që nuk miratohen në kuadër të IPA 2019, do të synojmë t’i përfshijmë në kuadër të IPA 2020, prandaj ftoheni që të prezantoni sot edhe ato propozime. Ministria e Integrimit do të ofrojë përkrahje për të gjitha institucionet në këtë proces por sigurisht se bashkëpunimi ndërinstitucional është i domosdoshëm”, ka theksuar Hoxha.
Ministrja Hoxha ka pohuar se asistenca që ofrohet përmes këtyre programeve, është mundësi ideale që të njëjtat të shfrytëzohen për të adresuar sfidat në sektorët përkatës dhe për të mundësuar reformat, të cilat janë të domosdoshme për avancimin e procesit integrues.