Kosova i shpreh mirënjohje Ajovës për avancimin e kapaciteteve të FSK-së
Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka pritur në një vizitë zyrtare Agjutantin e Përgjithshëm të Gardës Kombëtare të Ajovës, gjeneralmajor Stephen Osborn.
Vizita u zhvillua në frymën e partneritetit të qëndrueshëm dhe bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Gardës Kombëtare të Ajovës, duke reflektuar marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Gardës Kombëtare të Ajovës të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Me këtë rast, gjenerallejtënant Jashari i uroi mirëseardhje të ngrohtë gjeneralit Osborn dhe delegacionit shoqërues, duke shprehur mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme që Garda Kombëtare e Ajovës ka dhënë për zhvillimin dhe avancimin e kapaciteteve të FSK-së
Gjatë takimit, të dy gjeneralët zhvilluan bisedime për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit dypalësh, me theks të veçantë në planifikimin dhe realizimin e aktiviteteve të përbashkëta, trajnimeve dhe shkëmbimit të përvojave profesionale.
Në përmbyllje të takimit, të dy palët riafirmuan përkushtimin për forcimin e mëtejmë të marrëdhënieve dhe zgjerimin e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët, në funksion të rritjes së kapaciteteve dhe përmbushjes së misionit të FSK-së.



