Kosova pësoi humbje nga Spanja, por s’u korit

08 shtator 2021 | 22:35

Përfaqësuesja e Kosovës në futboll ka pësuar humbje nga Kombëtarja e Spanjës (0-2), por nuk është koritur për faktin se ka zhvilluar një ndeshje dinjitoze ndaj një kundërshtari të fuqishëm botëror.

Ndeshja e zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë i ka takuar Grupit B për kualifikimet në Kampionatin Botëror 2022.

Kosova luajti mirë në pjesën e parë dhe rrezikoi dy herë portën e spanjollëve, por goditja e fuqishme e Elbasan Rashanit përfundoi pranë portës së mysafirëve. Ndërsa goditjen e Milot Rashicës e ndali portieri Simone. Në anën tjetër, Spanja realizoi në minutën e 32-të, autor i golit ishte Pablo Fornals.

Pjesa e dytë ishte mjaftë interesante ku nuk munguan rastet e shënimit dhe një gol i shënuar. “Dardanët” në këtë pjesë patën dy raste të qindpërqindta, por Vedat Muriqi në daljen përballë portierit Simon goditi rrjetën e jashtme, derisa goditja e Elbasan Rashanit përfundoi pranë shtyllës pingule. Spanja rrezikoi nëpërmjet Torresit dhe Sergio Reguilon, por pas sukses. Mirëpo në minutat shtesë, Spanja realizoi edhe golin e dytë me anë të Ferran Torres që realizoi për 0-2.

Pas kësaj ndeshje, Kosova zë vendin e katërt me 4 pikë. Spanja është e para me 13 pikë. Në ndeshjen tjetër të këtij grupi që u zhvillua sonte, Greqia e mposhti Suedinë me rezultat 2-1.

/Veton ZYMBERI/

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
I plagosuri nga të shtënat me armë zjarri në Pejë…