Kosova sonte sfidon Spanjën

31 mars 2021 | 09:44

Përfaqësuesja e Kosovës në futboll sonte (e mërkurë) do të përballet me Spanjën në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës “Katari 2022”.

Kjo ndeshje vlerësohet si e vështirë për “dardanët”, pasi Spanja është ndër kombëtaret me të mira në botë, madje trajneri Bernard Challandes e ka vlerësuar si më të mirën. “Pas humbjes nga Suedia nuk është e lehtë të vijmë këtu në Spanjë dhe të përgatitemi për këtë ndeshje. Por, është nder dhe kënaqësi të luajmë kundër ekipit më të mirë në botë. Jemi munduar të përgatitemi sa më mirë dhe jemi të gatshëm”, ka thënë Challandes.

“Unë menaxhoj një ekip të mirë, ekip më lojtarë shumë të motivuar. Jemi shtet i ri i futbollit dhe duhet të përparojmë, duhet të marrim çdo ndeshje një nga një. Në veçanti ndeshja kundër Spanjës është mundësi për ta treguar progresin e ekipit që është bërë në mënyrë konstante dhe gjatë kësaj periudhe”, ka shtuar ai.  Trajneri zviceran ka refuzuar të flasë për çështje politike, si për deklaratat e fundit nga Qeveria spanjolle se nuk do ta njoh pavarësinë e Kosovës.

“Nuk flas për çështjet politike, puna ime është trajner i futbollit dhe duhet të gjejë zgjidhje për ndeshjen me Spanjën dhe të përgatiti ekipin tim në mënyrën më të mirë të mundshme. Mua më pëlqen të luajë futboll, Kosovës i pëlqen të mbajë topin, por ndaj Spanjës nuk do të jetë aspak e lehtë. Duhet të gjejmë zgjidhje për ta ndalur Spanjën. Loja ofensive është dëshira jonë, por duhet edhe të mbrohemi në disa situata dhe të ruajmë portën tonë. Njëkohësisht, të kërkojmë mënyrën për të shënuar gola”, ka deklaruar Challandes. Ndërsa mesfushori Hekuran Kryeziu, ka thënë se ai dhe lojtarët e tjerë që do të luajnë do të mundohen të japin më të mirën në përballjen ndaj Spanjës.

“Ka qenë një ndeshje e vështirë me Suedinë, ne e kemi analizuar atë ndeshje dhe jemi të gatshëm për Spanjën. Është kënaqësi të luajmë kundër Spanjës dhe mendoj se jemi të gatshëm dhe të fokusuar të përballemi me ekipin më të mirë në botë. Do të mundohemi të japim më të mirën nga kjo ndeshje”, ka thënë Kryeziu.

Trajneri i Spanjës: Më pëlqen shumë Kosova, do të jetë ndeshje e komplikuar

Trajneri i Spanjës, Luis Enrique ka lavdëruar Kosovën një ditë para përballjes në “La Cartuja” të Sevillës. “Pres një rival sikur në ndeshjet e mëparshme. Është ekip ndryshe nga Greqia dhe Gjeorgjia. E kam parë se bën presin shumë para, në një formë intensive. Nisen nga prapa dhe duan të luajnë futboll. Është një përfaqësuese që më pëlqen dhe rrezikon. Do të na komplikojë jetën. Përveç në aspektin individual, pres një rival të komplikuar. Kështu ua kemi transmetuar lojtarëve, nesër do të jetë ndeshje e komplikuar”, ka thënë Enrique.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ismet Sylejmani Viti 2000 shënonte vitin e parë të jetës…