Krasniqi: Kosova ka shumë talente në taekwondo

14 shkurt 2019 | 10:17

Numri një i sportit të taekwondos në Kosovë, Gani Krasniqi, është zotuar se do të angazhohet maksimalisht për masivizimin e këtij sporti. Ai në këtë intervistë për gazetën “Epoka e re” ka deklaruar se Kosova ka shumë talent të taekwondos

Kryetari i Federatës së Taekwondos së Kosovës, Gani Krasniqi, ka bërë me dije se Kosova ka shumë talent për këtë sport. Ai ka deklaruar se brenda një kohe shumë të shkurtër Kosova do të nxjerrë shumë Majlinda Kelmendi në sportin olimpik të taekwondos. Krasniqi në këtë intervistë dhënë gazetës “Epoka e re” është zotuar se do të angazhohet maksimalisht për masivizimin e këtij sporti në Kosovë. “Talent  në taekwondo ka shumë, ashtu sikurse ka në xhudo por, fatkeqësisht, ky sport është lënë anash për shumë vjet dhe është drejtuar nga persona që kanë punuar vetëm për interesa personale. Unë besoj se për një kohë shumë të shkurtër do të kemi edhe shumë Majlinda Kelmendi në sportin olimpik të taekwondos”, ka thënë Krasniqi. Ai ka folur edhe për objektivat që  do t’i realizojë gjatë mandatit në krye të kësaj federate. “Prioriteti im kryesor gjatë këtij mandati është që ta ruajmë bashkimin e të gjitha klubeve aktive, të punojmë shumë për të bërë sa më shumë klube që sporti i taekwondos të masivizohet në çdo qytet të Kosovës. Dëshira ime është që sportistët tanë të bëhen të respektuar dhe të disiplinuar në punë dhe rezultatet e tyre nuk do të mungojnë që të fitojnë medalje evropiane, botërore dhe olimpike”, është shprehur ai.

“Epoka e Re: Z. Krasniqi, tani jeni zgjedhur në krye të Federatës së Taekwondos. Si e keni gjetur këtë federatë?
Krasniqi: Unë jam zgjedhur kryetar i Federatës. Me këtë sport jam marrë me më shumë se 25 vjet. Për ata që nuk e dinë, ky sport vjen nga Koreja dhe kuptimi i tij është: tae-këmbë, kwon-dorë, do-mendje. Pra, është sport me kombinim të  këmbëve, duarve dhe të mendjes. Ky sport është më i vjetër se 1 500 vjet. Federatën e kam gjetur të ndarë në dy federata, pa asnjë aktivitet dhe pa shpresë për t’u zhvilluar. Me dëshirën që ky sport të zhvillohet, përgjatë tre vjetëve të fundit kam biseduar me dy federatat me qëllim që të bashkohemi dhe këtë sport ta zhvillojmë. Deri më tani interesi për këtë sport ka qenë krejt tjetër. Pas këtyre bisedimeve  të gjithë jemi bërë bashkë dhe se tani në Kosovë kemi një federatë dhe kemi qëllime të qarta.

“Epoka e re”: Më 23 shkurt 2019 do të mbahet kampionati i Kosovës në Taekwondo. Çfarë prisni nga ky kampionat?
Krasniqi: Nga kampionati i Kosovës në taekwondo, i cili do të mbahet në shkurt të këtij viti, presim sukses të madh, pasi për herë të parë do të marrin pjesë të gjitha klubet aktive që janë në Kosovë. Fituesit ose kampionët që do të fitojnë në këtë kampionat do ta përfaqësojnë Kosovën në garat ndërkombëtare, si ato evropiane, botërore  dhe olimpike. Uroj  që në këtë garë të fitojnë sportistët më të mirë.

“Epoka e re”: A ka Kosova talent në taekwondo sikurse në xhudo?
Krasniqi: Talent  në taekwondo ka shumë, ashtu sikurse ka në xhudo por, fatkeqësisht, ky sport është lënë anash për shumë vite dhe është drejtuar nga persona që kanë punuar vetëm për interesa personale. Besoj se për një kohë shumë të shkurtër do të kemi edhe shumë Majlinda Kelmendi në sportin olimpik të taekwondos.

“Epoka e re”: Cilat janë synimet tuaja gjatë këtij mandati në krye të Federatës?
Krasniqi: Prioriteti im kryesor gjatë këtij mandati është që ta ruajmë bashkimin e të gjitha klubeve aktive, të punojmë shumë për të bërë sa më shumë klube që sporti i taekwondos të masivizohet në çdo qytet të Kosovës. Dëshira ime është që sportistët tanë të bëhen të respektuar dhe të disiplinuar në punë dhe rezultatet e tyre nuk do të mungojnë që të fitojnë medalje evropiane, botërore dhe olimpike.

/Liridon ZEQIRI/

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Liderët e vendit janë duke mbajtur takimin e radhës në…