Krasniqi për marrëveshjen për energjinë: Humbëm 7 vjet nga papjekuria politike e Kurtit

03 korrik 2022 | 09:19

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se për shkak të papjekurisë politike të, kreut të Vetëvendosjes, kryeministrit Albin Kurti, janë humbur shtatë vjet në zbatimin e marrëveshjes për energji në veri.

Ndonëse partia në pushtet, sipas Krasniqit, e kundërshtoi për një kohë të gjatë marrëveshjen, të njëjtën do ta zbatojë vetë.

Edhe pse e quan lajm të mirë, që Kurti e ka kuptuar që marrëveshjet e nënshkruara me Serbinë kanë qenë për të mirën e vendit, po e konsideron dëm të madh moszbatimin e marrëveshjes.

“Lajmi i mirë është që Kurti dhe Qeveria e tij po e kuptojnë që këto marrëveshje kanë qenë për të mirën e vendit dhe për ta integruar në sistemin jo vetëm energjetik, por edhe legal të Kosovës së veriut”.

“Lajm i keq është se kundërshtimi i tyre dhe papjekuria e tyre politike na kanë humbur 7 vjet si në këtë rast. Përgjegjësitë dhe obligimet e tij janë që të punojë në interesin e qytetarëve të Kosovës dhe interesin e shtetit tonë si njësi e rregulluar brenda Kushtetutës që e kemi”, tha Krasniqi.

Përderisa sa i përket aplikimit për anëtarësim në Këshillin e Evropës, sipas tij, Qeveria nuk është koordinuar me partnerët ndërkombëtar.

Kryetari Krasniqi thotë se kjo mundësi nuk ka humbur ende, por duhet një ndërrim i qasjes dhe i mentalitetit qeverisës, raporton EO.

“Fatkeqësisht tashmë është bërë evidente vetë fakti i mos futjes në rend të ditës në Këshillin e Ministrave të Këshillit të Evropës dhe kërkesa jonë dhe aplikimit për anëtarësim që ministria e Jashtme dhe Qeveria Kurti nuk e kanë koordinuar këtë veprim dhe këtë aplikim me partnerë ndërkombëtar dhe para së gjithash me shtetet e QUINT-it”.

“Komplet e palogjikshme një gjë e tillë edhe pse kjo ka qenë mundësi ideale pas përjashtimit të Rusisë dhe Bjellorusisë nga ana e këshillit të Evropës që të ndërmerren veprime konkrete për anëtarësimin tone. Kjo mundësi nuk ka humbur ende, por duhet një ndërrim i qasjes dhe i mentalitetit qeverisës në nivel jo vetëm të ministrisë së jashtme por edhe qeverisë për të arritur sukses e që duket se me këtë mentalitet nuk do të ketë sukses”, tha Krasniqi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-deputetes së LDK-së, Melihate Tërmkollit, i ka vdekur nëna. Kumtin…