Krasniqi përkujton Ismail Qemalin në 104-vjetorin e vdekjes

24 janar 2023 | 16:47

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka kujtuar Ismail Qemalin, liberalin e parë shqiptar, udhëheqësin e Rilindjes e themeluesin e shtetit shqiptar, në 104-vjetorin e vdekjes së tij.

Krasniqi përmes një postimi në “Facebook” ka shprehur mirënjohje për kontributin politik të Ismail Qemailit.

“Sot mbushen 104 vjet nga vdekja e atit themelues të shtetit shqiptar dhe udhëheqësit të Rilindjes Kombëtare, shqiptarit të madh Ismail Qemalit. Prandaj, përkulemi me nderim e mirënjohje të thellë ndaj tij për kontributin e pallogaritshëm që ka dhënë si udhëheqës i Rilindjes Kombëtare dhe si frymëzues i brezave të njëpasnjëshëm të veprimtarëve që kanë luftuar për lirinë e pavarësinë e popullit shqiptar në çdo kohë e krahinë të trojeve tona autoktone. Ismail Qemali mund të konsiderohet jo vetëm si politikani i parë shqiptar që ka përqafuar dhe promovuar liberalizmin, por ka qenë edhe ndër të parët liberalë të shquar në Perandorinë Osmane, që kur themeloi gazetën e parë liberale, ‘Medjra-Efkiar’, të cilën e botonte në Plovdiv, jashtë kufijve të perandorisë, sepse sulltani e ndaloi botimin e saj në Stamboll për shkak të ideve përparimtare që parashtronte”, ka shkruar Krasniqi.

Krasniqi është shprehur i lumtur që PDK-ja ka përbrendësuar vlerat dhe bindjet liberale, që Ismail Qemaili dhe rilindasit e tjerë kanë shpalosur e mbrojtur ndër vite.

“Në respekt e nderim të veprës së Ismail Qemalit, por edhe të bindjeve dhe ideve liberale që ai dhe rilindas të tjerë të shquar kanë shpalosur e mbrojtur ndër vite, jam shumë i lumtur dhe krenar që këto vlera sot qëndrojnë si shtylla të vizionit të Partisë Demokratike të Kosovës, duke qenë edhe anëtare e barabartë e Aleancës së Liberalëve dhe Demokratëve të Evropës”, ka shkruar Krasniqi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Piloti britanik Lewis Hamilton, shtatë herë kampion bote në Formula…