Krasniqi, shefes së UNMIK-ut: Marrëveshja me Serbinë është pamjaftueshme

14 mars 2023 | 16:54

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka pritur në takim shefen e UNMIK-ut në vendin tonë, Caroline Ziadeh, me të cilën ka biseduar për zhvillimet e fundit në Kosovës, konkretisht për planin evropian.

Ai ka thënë se edhe shefes së UNMIK-ut, ia ka shprehur rezervat e PDK-së për këtë plan, i cili sipas tij është i pamjaftueshëm.

“Në selinë e Partisë Demokratike të Kosovës, kam pritur sot shefen e UNMIK-ut në Kosovë, Caroline Ziadeh, me të cilën diskutuam për zhvillimet e fundit në Kosovë. Shefes së UNMIK-ut i shpreha qëndrimin e PDK-së në lidhje me dialogun Kosovë – Serbi dhe rezervat që kemi në raport me këtë marrëveshje, e cila, sipas nesh, është e pamjaftueshme dhe mundësi e humbur për një marrëveshje finale, gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht e ndërkombëtarisht të obligueshme.  Ne i kemi dhënë mbështetje të parezervë kryeministrit Kurti në procesin e dialogut dhe në raport me Serbinë”.

“Përkundër kësaj, neglizhenca e tij, mosdakordimi me partnerët ndërkombëtarë kur ka qenë e nevojshme, kokëfortësia e tij për të dëgjuar propozimet e opozitës, përfshirë pesë pikat tona të deklaruara edhe në Uashington, Bruksel e Kuvend të Kosovës – janë arsyet kryesore që sot kemi një marrëveshje e cila nuk i realizon kërkesat, nevojat dhe qëllimet shtetërore të Kosovës. Sot, për fat të keq, kemi përpara një transformim të marrëveshjes së paralajmëruar dhe kërkuar nga ne dhe partnerët ndërkombëtarë për vite me radhë, nga një marrëveshje finale me njohjen e ndërsjellë në qendër, në marrëveshje të përkohshme me asociacionin në qendër”, ka shkruar Krasniqi në “Facebook”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT), Hekuran Murati, ministri…