Kryeministri Haradinaj takohet me Shpend Ahmetin

21 dhjetor 16:34

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur në takim kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmeti, me të cilin diskutoi lidhur me bashkëpunimin ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Komunës së Prishtinës.

Ndër temat e rëndësisë së posaçme që janë diskutuar në takim ka qenë statusi ligjor i Pallatit të Rinisë, unaza e Prishtinës si dhe kogjenerimi i Termokosit.

Sipas komunikatës së lëshuar nga kryeministria për Pallatin e Rinisë, kryeministri është dakorduar me kryetarin e Prishtinës që sa më parë duhet të kalojë në pronësi të Komunës së Prishtinës si Ndërmarrje Publike Komunale.

Me këtë rast, qeveria dhe komuna do të angazhohen në gjetjen e fondeve për renovimin e plotë të këtij objekti. Ky pallat, përveç që do të përdoret nga sportistët, do të shërbejë edhe për integrimin e komuniteteve të tjera.

Është biseduar po ashtu, që në rishikimin e parë të Buxhetit për vitin 2018, të hyjë edhe projekti i Unazës së Prishtinës, kur synohet të nisë ndërtimi i saj.

Kryeministri Haradinaj po ashtu, ka thënë se do të punohet në shtimin e kapaciteteve të ngrohjes në Prishtinë, përmes kogjenerimit të Termokosit.

Kryeministri i Republikës së Kosovës dhe i pari i Prishtinës janë dakorduar që të thellojnë bashkëpunimin komunë-qeveri, ashtu që të bëhen investimet e nevojshme në kryeqytet, investime këto që do të ndikojnë në përmirësimin e jetës së qytetarëve.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në takimin e fundvitit me…