Kryesuesit ndajnë “mejdanin” në “Zahir Pajaziti”

16 shtator 2018 | 13:08

Lideri i elitës, Flamurtari, dhe skuadra e dytë në tabelë, Llapi, do të përballen të dielën në stadiumin “Zahir Pajaziti” në derbin e javës së pestë në Superligë. “Ne e kemi kaluar presionin në ndeshjen ndaj Lirisë dhe tash do të luajmë pa ndonjë presion ndaj Llapit. Kundërshtari ynë i radhës e ka skuadrën më cilësore dhe ne do të angazhohemi dhe do të mundohemi të dalim të pamposhtur në këtë ndeshje, çka do të jetë mjaft vështirë për t’u arritur”, ka thënë Arsim Thaqi për “Epokën e re”.

Xhiro e pestë e IPKO Superligës së Kosovës në futboll do të sjellë dy derbi. Të dielën Llapi e pret skuadrën lidere, Flamurtarin. Trajneri i skuadrës kuqezi, Arsim Thaqi, ndihet krenar me rezultatet e arritura nga skuadra e tij në këtë kampionat, por edhe në ndeshjen ndaj Llapit dëshiron të marrë rezultat pozitiv.

“Ne e kemi kaluar presionin në ndeshjen ndaj Lirisë dhe tash do të luajmë pa ndonjë presion ndaj Llapit. Kundërshtari ynë i radhës e ka skuadrën më cilësore dhe ne do të angazhohemi dhe do të mundohemi të dalim të pamposhtur në këtë ndeshje, çfarë do të jetë mjaft vështirë për tu arritur”, ka thënë Thaqi për “Epokën e re”. Strategu Thaqi në të kaluarën ka punuar me kundërshtarin e radhës, Bylbyl Sokolin. Ai lidhur me këtë përballje ka deklaruar: “Kemi punuar me Sokolin një kohë të gjatë, por emocionet e përballjes i kam kaluar për faktin se jemi përballur edhe më herët”.

Për ndeshjen e së dielës ka folur për gazetë edhe Bylbyl Sokoli, i cili me Llapin zë vendin e dytë në tabelë. “Profa” e ka lavdëruar skuadrën e Flamurtarit, por lë të nënkuptohet se Llapi synon maksimumin e pikëve. “Flamurtari ka një kryesi, trajner dhe skuadër të mirë, prandaj nuk është rastësisht në pozitën e parë. Ne do ta analizojmë këtë ndeshje derbi dhe do të përpiqemi, me angazhimin e të gjithëve, të marrim rezultat pozitiv. Besojmë se do të kemi vazhdimësi të rezultateve, por këto mund të arrihen vetëm me një angazhim të përbashkët”, ka deklaruar Sokoli.

IPKO Superliga

Të dielën takohen:

15:45 Liria – KEK-u
15:45 Llapi – Flamurtari
15:45 Trepça ’89 – Drenica

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në Komunën e Ferizajt nga njësitet e Drejtorisë për Hetimin…