Kthimi i Rusisë minimizon gjasat e Kosovës për anëtarësim në Këshill të Evropës

01 korrik 2019 | 15:46

Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Adri Nurellari, e ka dënuar kthimin e Rusisë në Këshill të Evropës. Ai ka paralajmëruar se një veprim i tillë do t’i sjellë probleme Kosovës në procesin e anëtarësimit në këtë organizatë, e cila mision ka mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe demokracisë.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Nurellari ka thënë se tani gjasat e Kosovës për t’i siguruar votat e duhura në Asamblenë Parlamentare (PACE) të kësaj organizate bëhen minimale. “Me kthimin e Rusisë në Këshill të Evropës, gjasat e Kosovës për t’i siguruar votat e duhura në asamblenë parlamentare (PACE) të kësaj organizate bëhen minimale. Kjo do të thotë se ne kemi pasur një shans të rëndësishëm historik të periudhës kur Rusia nuk ka qenë pjesë e kësaj organizate për ta nisur procesin e anëtarësimit dhe për të lobuar për t’u votuar nga PACE”, ka thënë Nurellari.

Ai ka vlerësuar se institucionet e Kosovës është dashur të bëjnë më tepër gjatë kohës sa Rusia ka qenë e përjashtuar nga kjo organizatë. “Fatkeqësisht, Kosova në vend se të angazhohej për t’u anëtarësuar në këtë organizatë, gjatë kësaj periudhe është fokusuar në problemet e brendshme dhe ka qenë e gozhduar nga një klimë e konfliktit të brendshëm që u karakterizua nga ngërçi, protestat për demarkacionin dhe asociacionin dhe u degradua në banalitetin dhe agresivitetin e gazit lotsjellës, molotovit, vezëve dhe makinave të ndezura ndaj oponentëve e deri tek zola ndaj Kuvendit të Kosovës”, është shprehur ai.

Nurellari ka kundërshtuar vendet që kanë votuar pro rikthimit të Rusisë në këtë organizatë.
Sipas tij, kjo është një ngjarje shumë e rëndë sepse thelbi i kësaj organizate janë të drejtat e njeriut, ndërsa Rusia është një ndër shkelëset më flagrante të këtyre të drejtave. “Kjo situatë jo vetëm se tregon se Evropa ka rënë pre e shantazhit, por dëshmon edhe që Evropa nuk është më e njëjta. Pra, duket qartazi se ndryshimet e fundit tektonike që kanë ndodhur me klimën e opinionit dhe sistemet partiake të vendeve kryesore evropiane po japin impaktin e tyre në orientimin e Evropës për sa iu përket parimeve dhe vlerave të demokracisë dhe lirisë. Konkretisht, kjo zmbrapsje nuk duhet parë vetëm si një inferioritet ndaj kërcënimit të Rusisë, por edhe si një dëshmi që konsolidimi i partive jokonvencionale populiste të ekstremit të majtë e të djathtë ka ndryshuar edhe kompozimin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës”, ka thënë Nurellari.

“Epoka e re: Z. Nurellari, Këshilli i Evropës javën e kaluar ka votuar për rikthimin e Rusisë në këtë institucion, i cili rol primar ka të drejtat e njeriut në kontinent. Cili është mendimi juaj për këtë veprim?
Nurellari: Për mendimin tim, kjo është një ngjarje shumë e rëndë sepse në fund të fundit zanafilla dhe thelbi i kësaj organizate janë pikërisht të drejtat e njeriut dhe Rusia është një ndër shkelëset më flagrante të tyre. Po ashtu, nuk ka ndonjë riparim, pendesë apo ndryshim të Rusisë lidhur me shkaqet për të cilat u sanksionua dhe u largua nga kjo organizatë, prandaj është pakuptueshme pranimi i rikthimit. E gjitha kjo situatë ta kujton të kaluarën e turpshme evropiane të traktatit të Mynihut, ku forcimit dhe kërcimit të Hitlerit, Evropa iu përgjigj me zmbrapsje dhe akomodim të interesave duke mbyllur sytë si struci ndaj rrezikut që regjimi nazifashist po i afronte Evropës. Vitin e kaluar u mbushën 80 vjet nga marrëveshja famëkeqe e Mynihut mes katër fuqive evropiane: Gjermanisë, Italisë, Britanisë së Madhe dhe Francës, ku u lejua pushtimi i Çekosllovakisë me iluzionin anglezo-francez se Hitleri do të mjaftohej me aq. Ajo zbythje ndaj Gjermanisë hitleriane konsiderohet një nga ngjarjet kryesore që favorizuan shpërthimin e Luftës së Dytë Botërore duke e shtyrë Rajhun e Tretë drejt ekspansionit territorial në Evropë. Me sa duket, Evropa nuk ka nxjerrë mësime nga pësimet dhe tregohet inferiore ndaj kujtdo që tregon dhëmbët e dëshmon gatishmëri për ta përdorur dhunën. Ne si Kosovë e kemi parë këtë gjë edhe me Serbinë, ku Beogradi shpesh akomodohet apo kënaqet prej Brukselit vetëm sepse kërcënon me destabilizim potencial nëpërmjet trazirave që mund të shkaktojë me pakicat serbe që ka në Bosnje Hercegovinë, Kosovë, Mal të Zi dhe Maqedoni.

“Epoka e re”: Në vitin 2014 Rusisë iu kishte hequr e drejta e votimit në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës si ndëshkim për aneksimin e gadishullit ukrainas të Krimesë. Nga atëherë Rusia vazhdimisht ka kërcënuar me largim nga KE-ja nëse nuk i kthehet e drejta e votimit. I bie kjo që vendet evropiane kanë rënë pre e shantazhit të Rusisë?
Nurellari: Kjo situatë jo vetëm se tregon se Evropa ka rënë pre e shantazhit, por dëshmon edhe që Evropa nuk është më e njëjta. Pra, duket qartazi se ndryshimet e fundit tektonike që kanë ndodhur me klimën e opinionit dhe sistemet partiake të vendeve kryesore evropiane po japin impaktin e tyre në orientimin e Evropës për sa iu përket parimeve dhe vlerave të demokracisë e lirisë. Konkretisht, kjo zmbrapsje nuk duhet parë vetëm si një inferioritet ndaj kërcënimit të Rusisë, por edhe si një dëshmi që konsolidimi i partive jokonvencionale populiste të ekstremit të majtë e të djathtë ka ndryshuar edhe kompozimin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës duke krijuar një situatë ku numri i deputetëve që vijnë nga këto parti është shtuar ndjeshëm, aq sa të ketë efekt vendimtar në procesin e votimit. Përpos kësaj, kemi të bëjmë edhe me një ndryshim interesant në strategjinë e Rusisë ndaj Evropës. Pasi e ka parë që nuk ia ka dalë dot ta bllokojë zgjerimin e NATO-s në Ballkan, me tentativat e dështuara për puç në Mal të Zi, por edhe për konflikt ndëretnik në Maqedoni, Rusia po sheh si plan B investimin e ndërtimit të lidhjeve me politikanët dhe partitë populiste. Pra, me sa duket, nuk dëshiron të përballet më në mënyrë frontale, por nëpërmjet kuajve të Trojës që përbëhen nga parti që kanë marrë financime të errëta e të dyshimta nga Moska ose që kanë shprehur simpati dhe mbështetje për autoritarizmin e Putinit. Kështu që këtë votë e shoh edhe si demonstrim i këtij ndryshimi taktik të Rusisë përkundrejt Evropës. Me pak fjalë, jo më konfrontim ballë për ballë, por infiltrim dhe infektim përbrenda sistemit.

“Epoka e re”: Kosova është në përgatitje për të aplikuar për anëtarësim në këtë organizatë. Në këtë drejtim, sa vështirësi mund të paraqesë rikthimi i Rusisë?
Nurellari: Me kthimin e Rusisë në Këshill të Evropës gjasat e Kosovës për t’i siguruar votat e duhura në asamblenë parlamentare (PACE) të kësaj organizate bëhen minimale. Kjo do të thotë se ne kemi pasur një shans të rëndësishëm historik të periudhës kur Rusia nuk ka qenë pjesë e kësaj organizate për ta nisur procesin e anëtarësimit dhe për të lobuar për t’u votuar nga PACE.

“Epoka e re”: Pra, Kosova nuk e ka shfrytëzuar sa duhet kohën kur Rusia ishte jashtë kësaj organizate?
Nurellari: Përpara se të bëjmë atë që shqiptarët bëjnë më së miri, eksternalizimin e përgjegjësisë dhe mveshjen e fajeve të tjerëve pa pasur guximin që të bëjmë autokritikë, duhet parë me kurajë dhe sinqeritet se çfarë mund të kishim bërë ne më mirë. Fatkeqësisht, Kosova në vend se të angazhohej për t’u anëtarësuar në këtë organizatë, gjatë kësaj periudhe është fokusuar në problemet e brendshme dhe ka qenë e gozhduar nga një klimë e konfliktit të brendshëm që u karakterizua nga ngërçi, protestat për demarkacionin dhe asociacionin dhe u degradua në banalitetin dhe agresivitetin e gazit lotsjellës, molotovit, vezëve dhe makinave të ndezura ndaj oponentëve e deri te zola ndaj Kuvendit të Kosovës.

“Epoka e re”: Së fundi është bërë më mbizotërues mendimi se veçanërisht BE-ja po tregohet e padrejtë me Shqipërinë së cilës nuk po ia hap negociatat për anëtarësim dhe me Kosovën së cilës nuk po ia heq regjimin e vizave. Sa i bazuar është një mendim i tillë?
Nurellari: Për hir të së vërtetës nuk mendoj se ka vend për një paralelizëm të saktë mes Shqipërisë dhe Kosovës. Për Shqipërinë, me pikëllim të thellë duhet të them se vështirë se e meriton hapjen e negociatave në kushtet aktuale të degradimit të situatës politike dhe vakuumit institucional ku mungojnë prej vitesh Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë, e ku opozita nuk është në parlament. Nga ana tjetër, Kosova i ka plotësuar tërësisht kushtet prej vitesh tashmë dhe nuk ka asnjë logjikë apo justifikim kjo vonesë e deritanishme. Megjithatë, duhet pasur parasysh që ne nuk kemi alternativë dhe e ka hapësirën e manovrës shumë të kufizuar në diplomaci. Nuk kemi, ta zëmë, luksin e Serbisë për ta kërcënuar Evropën me flirtim me Rusinë, sepse për ne lindja është vetëm kërcënim. Prandaj, përtej ankesës dhe qaramanisë, ne duhet ta mbledhim vetën e të mendojmë se çfarë të bëjmë me këto mundësi që kemi e të mos i dorëzohemi dëshpërimit dhe pasivitetit.

Muhamet KOCI

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kosova i ka mbyllur me plot sukses Lojërat Evropiane. Kosova…