Kthimi i Sunny Hill, lokacioni s’është caktuar ende, për 17 hektarët do të diskutohet edhe pak

20 qershor 11:45

Pas reagimeve të shumta që u shkaktuan rreth një javë më parë kur u bë e ditur se Festivali Sunny Hill do të zhvendoset në Tiranë, të hënën u njoftua se ky event do të kthehet në Prishtinë për t’u mbajtur në fillim të muajit gusht.

Në një deklaratë të Ministrisë së Kulturës dhe Komunës së Prishtinë u tha se Festivali do të organizohet në një lokacion të përshtatshëm.

Por çështja që u bë problematike, toka që iu dha festivalit nga komuna e Prishtinës, thuhet se do të diskutohet më vonë.

“Të gjithë shprehin gatishmërinë që çështja e shfrytëzimit afatgjatë të tokës të diskutohet edhe pak kohë deri në gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme” thuhet në njoftim.

Më poshtë deklarata e plotë:

Deklaratë e përbashkët e Ministrisë së Kulturës (në emër të Qeverisë së Kosovës), Komunës së Prishtinës dhe Sunny Hill Festival.

Sunny Hill Festival mbahet në shtëpinë e vet, në Prishtinë, më 4, 5, 6 dhe 7 gusht 2022.

Qeveria e Kosovës, Komuna e Prishtinës dhe Sunny Hill Festival bashkojnë forcat për një edicion të mrekullueshëm të festivalit sivjet, aty ku e ka vendin, në Prishtinë.

Institucionet qëndrore dhe lokale bashkarisht, sipas mandatit që kanë do të ofrojnë mbështetje të plotë për edicionin e sivjetmë, i cili do të mbahet në një lokacion të përshtatshëm.

Të gjithë shprehin gatishmërinë që çështja e shfrytëzimit afatgjatë të tokës të diskutohet edhe pak kohë deri në gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme.

Synimi i përbashkët është që nga viti i ardhshëm, festivali Sunny Hill të organizohet në lokacionin e vet afatgjatë.

Në frymën e bashkëpunimit të shkëlqyeshëm kulturor mes Kosovës dhe Shqipërisë, një edicion i veçantë me një line-up tjetër do të mbahet në fund të muajit gusht në Tiranë më 26, 27 dhe 28 gusht.

Në Prishtinë, Sunny Hill Festival për këtë vit ka përgatitur lineup-in më të fuqishëm nga festivalet e rajonit ku përveç artistëve të njohur si Diplo, Skepta, DJ Regard, AJ Tracey, Mahmood dhe artistët më të njohur shqiptarë, për këtë edicion pritet të zbulohen edhe dy artistë shumë të mëdhenj botëror.

Një verë e jashtëzakonshme i pret të gjithë shqiptarët në Prishtinë dhe në Tiranë.

Ministria e Kulturës, Komuna e Prishtinës dhe Sunny Hill Festival.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Endri Çekiçi po shijon disa ditë pushime, pas angazhimit me…