Kujt do t’i rritet e kujt do t’i zvogëlohet rroga?

01 shkurt 2023 | 18:05

Rrogat bazë në sektorin publik në Kosovë do të ndryshojnë nga 5 shkurti, me hyrjen në fuqi të ligjit të ri për pagat, sipas të cilit vlera e koeficientit të pagave për vitin 2023 do të jetë 105 euro.

Zyrtarët, të cilët para hyrjes në fuqi të ligjit të ri për pagat përfitonin pagë më të madhe, do të marrin një shtesë të barabartë me diferencën ndërmjet pagës aktuale dhe pagës së re bazë gjatë vitit të parë. Gjatë vitit të dytë, shtesa do të jetë në vlerën e 50-përqindëshit të diferencës mes pagave.

Por kujt do t’i rritet e kujt do t’i zvogëlohet rroga?

Ndryshe, Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e sotme, ka vendosur që vlera monetare e koeficientit të pagave të jetë 105 euro për vitin 2023, e 110 euro për vitin 2024.

Për të llogaritur pagën duhet shumëzuar vlerën e koeficientit me koeficientin. Pra pasi që vlera e koeficientit është 105 euro, zyrtari që ka pagë në koeficient 5 do të marrë pagë 525 euro bazë, pa llogaritur shtesat.

Në Ligjin për Paga janë 136 nivele të koeficienteve, me raport prej 2 në 18. Paga më e lartë do të jetë ajo e presidentit me koeficientin 18, apo 1890 euro.

Kryetari e Gjykatës Kushtetuese do të ketë koeficient 17.5 ndërsa 17 do të jetë koeficienti për postin e kryeparlamentarit dhe kryeministrit. Deputeti dhe ministri do të kenë pagë të barabartë, me koeficient 16.4.

Sa i përket kryetarëve të komunave, ai i kryeqytetit do të ketë pagë me koeficient 15, ndërsa pagat e të tjerëve do të dallojnë varësisht prej numrit të qytetarëve që kanë ato komuna.

Në gjyqësor, që ka paralajmëruar dërgimin e Ligjit në Gjykatën Kushtetuese, paga për kryetarin e Gjykatës Supreme do të jetë në koeficientin 17. Koeficienti te gjyqtarët do të sillet prej 15.5 deri në 12 për gjyqtarin e Themelores dhe të dhomës së shkallës së parë të Komerciales. Në Prokurori, paga e kryeprokurorit do të jetë me koeficientin 17, ndërsa prokurorët e përgjithshëm në Themelore do të kenë pagë me koeficient 12.

Në Ushtri, komandanti do të ketë koeficientin 15, ndërsa paga më e ulët do të jetë për rekrutin/kadetin e FSK-së me koeficient 2, që është edhe paga më e ulët në vend.

Në Polici, drejtori i përgjithshëm do të ketë pagë me koeficient 14.5, ndërsa polici i thjeshtë koeficient 5. Kadeti policor do të ketë koeficientin 2.

Te zjarrfikësit koeficienti do të sillet nga 4 deri në 8.

Në arsim, pagat e mësimdhënësve do të sillen prej koeficientit 5.6 për ata të shkollave fillore dhe të mesme të ulëta deri në 5.8 për mësimdhënës të shkollave të mesme të larta.

Në shëndetësi, pagat e mjekëve do të jenë nga 7.4 për mjekët e përgjithshëm në 12 për specialistët.

Ligji parasheh kompensim për kujdestari, për punën gjatë natës e për punë jashtë orarit. Ndërsa ulja e nivelit të pagës parashihet vetëm në dy raste, të tronditjes makroekonomike a të fatkeqësisë natyrore.

Vlera monetare e koeficientit përcaktohet me ligjin vjetor të buxhetit, që sivjet është rritur edhe për paga e shtesa për 75 milionë euro në raport me vitin e shkuar.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputetja britanike, Alicia Kearns ka ngritur dje në Parlamentin Britanik…