Kupchan: Sulmi në Kosovë nuk ishte spontan

25 shtator 2023 | 10:52

Është e qartë se sulmi i armatosur në veri të Kosovës, të dielën, nuk ishte spontan, ka thënë Charles Kupchan, profesor në Universitetin Georgetown dhe ish-drejtor i çështjeve evropiane në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara në administratat e Bill Clintonit dhe Barack Obamas.

Një pjesëtar i Policisë së Kosovës është vrarë dhe disa të tjerë janë plagosur në përleshjet me një grup të armatosur në pjesën veriore të vendit, të banuar me shumicë serbe, më 24 shtator. Rreshteri i policisë, Afrim Bunjaku, vdiq nga plagët e marra në sulm, konfirmuan autoritetet.

Autoritetet kosovare kanë thënë se tre sulmues janë vrarë, ndërsa gjashtë persona, që dyshohet se ishin në kontakt me ta, janë arrestuar. Rreth 30 sulmues ishin vendosur në manastirin e fshatit Banjskë të komunës së Zveçanit dhe përreth tij.

Kosova e bëri përgjegjëse Serbinë për sulmin, ndërsa Beogradi zyrtar serbët e Kosovës.

“Duket se ky është një aksion i mirëorganizuar, prandaj është më i rrezikshëm, sepse sugjeron se në terren ka grupe që janë të interesuara për të shkaktuar dhunë dhe janë të gatshëm të organizohen dhe të gjejnë armë që do t’u mundësojnë të bëjnë kështu”, ka thënë Kupchan.

Ai ka thënë se nuk dëshiron të spekulojë se kush qëndron pas sulmuesve.

“Mund të jetë një grup i brendshëm me mbështetje nga jashtë, por jo domosdo nga qeveria. Qëllimi i tyre? Të nxisin telashe, më shumë dhunë, të rrisin tensionet për të bërë të paarritshëm bashkëpunimin e palëve të përfshira për të arritur paqen e qëndrueshme”, ka thënë ai për “REL”-in.

Sipas atij, veprimet e kryeministrit Albin Kurti ishin provokues dhe “rritën temperaturën”.

“Ky shpërthim i ri i dhunës është dëshpërues, por jo shumë befasues. Kohëve të fundit, tensionet janë duke u rritur. Mendoj se ka zhgënjim të të gjithë aktorëve. Në njërën anë, ka një udhërrëfyes serioz – me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian – që do të duhej ta çonte Kosovën dhe Serbinë drejt normalizimit [të marrëdhënieve]. Në të njëjtën kohë, asnjëra palë nuk tregon gatishmëri, guxim të mjaftueshëm për të ecur përpara dhe për ta zbatuar atë udhërrëfyes. Mendoj se kryeministri Kurti, muajve të fundit, ka ndërmarrë hapa që kanë qenë provokues dhe kanë rritur temperaturën – duke filluar me përpjekjet për t’i detyruar serbët e Kosovës që të marrin karta të reja identiteti dhe targa. Pastaj, vendimi për instalimin e kryetarëve të komunave në veri, të zgjedhur në zgjedhje që u bojkotuan nga komuniteti serb”, ka shtuar ai.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një natë pas situatës së rëndë që ndodhi në veri…