Kurti, ambasadores kroate: Procesi negociator për formimin e qeverisë po përfundon suksesshëm

11 nëntor 2019 | 17:18

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe sekretari për marrëdhënie me jashtë i kësaj lëvizje, Kreshnik Ahmeti, kanë pritur në takim ambasadoren e Kroacisë në Kosovë, Danijela Barišić dhe sekretarin e parë të ambasadës kroate, Zlatko Vnučec.

Ambasadorja kroate e ka uruar Kurtin për fitoren e Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e 6 tetorit.

Ajo ka përmendur faktin që nga janari deri në qershor të vitit 2020, Kroacia do të jetë në krye të Presidencës së Bashkimit Evropian (BE), me ç‘rast do të angazhohet për procesin e integrimit të vendeve të rajonit në këtë institucion.

Sipas njoftimit të Vetëvendosje për medie, ambasadorja e Kroacisë është interesuar për procesin e formimit të Qeverisë dhe prioritetet mbi të cilat do të ndërtohet programi i Qeverisë Kurti.

Ndërsa lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, e ka njoftuar ambasadoren kroate për procesin e negociatave me partnerin e ardhshëm të koalicionit qeverisës.

Ai ka treguar se programi i Qeverisë së ardhshme të Republikës së Kosovës tanimë është në fazën e përmbylljes, me ç’rast është duke përfunduar suksesshëm edhe procesi negociator, nga i cili sipas tij do të rezultojë një qeveri e ndryshimeve progresive.

Kurti ka thënë se qeveria e re për prioritet do ta ketë ngritjen e mirëqenies së qytetarëve dhe luftimin e krimit dhe korrupsionit brenda dhe jashtë institucioneve.

Në këtë takim, të dy palët janë pajtuar se emigrimi i qytetarëve të shteteve të Ballkanit, veçanërisht i të rinjve, drejt vendeve të zhvilluara të Evropës, paraqet një problem të madh për rajonin.

“Fenomeni i ikjes së trurit po ulë kapacitetet për zhvillimin ekonomik në vend, pa marrë parasysh a ndodhë kjo në Kroaci, e cila tashmë është anëtare e BE-së, apo në vendet sikurse Kosova, të cilat kanë pasur pak përparim drejt integrimeve evropiane. Në takim pati pajtueshmëri se zgjidhja e vetme për tejkalimin e këtij problemi kronik është ngritja e mirëqenies nëpërmjet zhvillimit ekonomik, dhe barazia para ligjit nëpërmjet luftimit të krimit dhe korrupsionit. Në fund të takimit, palët u pajtuan që t’i vazhdojnë raportet e mira dhe t’i zhvillojnë ato edhe më tutje”, është thënë në njoftimin e Lëvizjes Vetëvendosje.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Luis Enrique mund të jetë trajner i ri i skuadrës…