Kurti e Bahtiri bisedojnë për bashkimin e Mitrovicës

29 janar 2019 | 22:44

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka zhvilluar një takim me kryetarin e Mitrovicës, Agim Bahtirin dhe nënkryetarin e kësaj komune, Faruk Mujka.

Ky i fundit përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook”, ka shkruar se në këtë takim u pajtuan për suksesin e peticionit për bashkimin e qytetit, i cili u nënshkrua nga 16.594 qytetarë brenda gjashtë ditësh.

“Me këtë rast ju falenderohemi aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe të partive të tjera që punuan pa kursim për ta realizuar këtë peticion. Po ashtu u dakorduam që ky peticion sa më shpejtë të procedohet nëpër komisionet përkatëse parlamentare, të ketë mbështetjen e plotë të gjithë liderëve partiak, faktorëve të ndryshëm politik dhe posaçërisht nga deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës të cilët duhet ta përmirësojnë gabimin e legjislacionit kur u votua ndarja e qytetit në dy komuna pa i pyetur asnjëherë institucionet komunale dhe banorët e Mitrovicës”, ka shkruar Mujka.

Ai ka thënë se duhet pasur të qartë se kërkesa për bashkimin e qytetit në asnjë mënyrë nuk nënkupton një lloj kompromisi me integritetin territorial të Kosovës apo çfarëdo cenimi të kufijve të Kosovës.

“Në sferën e bashkëqeverisjes komunale, u diskutua edhe për disa projekte me rëndësi të veçantë për Komunën e Mitrovicës dhe benefitet që do t’i kenë qytetarët e saj nga to, por për këto projekte më hollësisht do të informoheni në ditët në vijim. Të gjithë së bashku për Mitrovicën e bashkuar dhe të zhvilluar”, ka shkruar Mujka.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Politologu Ramush Tahiri ka vlerësuar se kohën efundit taksa ka…