Kurti për asociacionin: Jo në bazë të etnisë

08 gusht 2022 | 15:02

Në komunat veriore të Kosovës, më 31 korrik, pati rrezik për përshkallëzim të situatës në konflikt të armatosur “për shkak të frikës së injektuar nga Beogradi dhe për shkak të planeve të bëra në Rashkë dhe në Beograd”.

Kështu ka thënë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për “Radion Evropa e Lirë”.

Sipas tij, barrikadat që u vendosën në rrugët e veriut, në kundërshtim të zbatimit të vendimit për targat dhe dokumentet hyrëse për shtetasit serbë, ishin të pozicionuara në atë mënyrë që të qëllohej me armë mbi automjete dhe njerëz që kalojnë në atë zonë.

Kurti ka thënë se nuk do të diskutojë lidhur me vendimet për targat dhe dokumentet hyrëse në takimin që do ta ketë me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, më 18 gusht në Bruksel.

Ai tha se në mënyrë që më 1 shtator të shmangen tensionet e 31 korrikut, faktorët ndërkombëtarë “duhet ta zmbrapsin Beogradin në qasjen e tij destruktive ndaj Kosovës”.

Shefi i ekzekutivit ka bërë të ditur se ka dyshime për infiltrime nga Rusia pasi, sipas tij, Kremlini po dëshiron ta përdorë Serbinë si platformë për ta destabilizuar Ballkanin dhe, në veçanti, për ta sulmuar Kosovën.

Sa i përket marrëveshjes për Asociacionin për komunat me shumicë serbe, ai ka thënë se organizimet që bashkojnë komunat me veçanti gjeografike apo ekonomike janë të nevojshme, por jo ato në bazë të etnisë.

“Modelet, të cilat janë zhvillimore, janë padyshim të nevojshme. Nëse kemi, ta zëmë, komunat e Maleve të Sharrit, ose të Bjeshkëve të Rugovës, ose komunat e Lumit Lepenc, komuna të cilat kanë të bëjnë me veçantinë gjeografike, ekonomike e zhvillimore të komunave, unë jam i interesuar. Por, asociacione sipas kriterit etnik, nuk e kalojnë testin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe të parimit universalist demokratik. Nuk e kalojnë. Pra, nuk duhet të bëhet asociacioni i komunave serbe pse kemi këtë identitet etnik, nëse ia duam të mirën këtij vendi. Dhe, kur kihet parasysh që Beogradi – paralelisht me kërkesën për asociacion njëetnik – deklaron se kurrë nuk do ta njohë Kosovën, pasi që masakra e Reçakut kurrë nuk ka ekzistuar – atëherë besoj që nuk ka njeri për të cilin nuk është i qartë konteksti në të cilin jetojmë”, ka thënë Kurti.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
LeBron James është pranë rinovimit të kontratës edhe me dy…