Kurti pret në takim Feithin, e falënderon për kontributin e dhënë për Kosovën

12 shtator 2022 | 17:45

Në shënim të 10- vjetorit të përfundimit të mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës, kryeministri Albin Kurti ka pritur në takim ish-përfaqësuesin Civil Ndërkombëtar për Kosovën dhe ish -përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian, Pieter Feith.

Gjatë takimit rikujtuan 10 shtatorin e vitit 2012, kur Grupi Drejtues Ndërkombëtar shpalli përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës.

Duke e falënderuar për kontributin e tij dhënë për vendin tonë, kryeministri Kurti e falënderoi për prezencën e tij në shënimin e këtij përvjetori.

“Kryeministri e njoftoi me të arriturat e gjithëmbarshme të Kosovës, sidomos me progresin ekonomik dhe demokratik në vitin e fundit, ku edhe jemi ngritur për 17 vende në Indeksin e Transparency International dhe po aq vende në indeksin e lirisë së medieve, dhe se jemi renditur të parët në Ballkanin Perëndimor për sundimin e ligjit sipas World Justice Project”, ka njoftuar Qeveria e Kosovës.

Sipas këtij njoftimi, Feith e falënderoi kryeministrin dhe tha se ndjehet i nderuar nga ftesa për të qenë prezent në këtë përvjetor, duke rikujtuar se roli i Përfaqësuesit Civil Ndërkombëtar ka qenë i dobishëm dhe i ka ndihmuar Kosovës në përmbylljen me sukses të mbikëqyrjes së pavarësisë, si dhe në krijimin e bazës kushtetuese për funksionimin normal të shtetit të ri.

“Së bashku risollën në kujtesë edhe disa nga aktivitetet gjatë kohës sa Pieter Feith ishte Përfaqësues Civil Ndërkombëtar për Kosovën dhe Përfaqësues Special i Bashkimit Evropian, të organizuara nga Lëvizja Vetëvendosje, sikurse posteri “Feith No More” e që sipas Feith ishte tregues i padurimit për të mbyllur mbikëqyrjen e pavarësisë. Kryeministri Kurti dhe z. Feith theksuan se Kosova është tregim suksesi i një shteti të ri dhe i zhvillimit të një shoqërie demokratike”, ka njoftuar Qeveria e Kosovës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në fundjavë u zhvillua xhiroja e parë në Prince Caffe…