Kurti thotë se ka aftësi ta shkruajë statutin e ‘Zajednicës’

11 janar 2024 | 12:47

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në konferencën e përbashkët për media me Kryeministrin irlandez, Leon Varadkar është pyetur për deklaratën e tij ku kishte shprehur gatishmëri ta shkruajë draftin e Asociacionit bashkë me dy ministrat e tij.

Kurti ka thënë se nuk ka dhënë premtim për shkrimin e Asociacionit, por se ka shprehur aftësinë e tij për të shkruar një draft të tillë, derisa bëri thirrje që Asociacionin të mos e nxjerrin nga paketa e marrëveshjes së fundit Kosovë-Serbi.

“Nëse është çështje e brendshme, siç u tha për herë të parë, unë mund ta shkruaj, pra nuk i kam dhënë premtim tjetrit, por kam shprehur aftësi vetjake për ta shkruar dhe le ta diskutojmë. Por, mos të ngatërrojmë hierarkinë e gjërave – marrëveshja bazike, aneksi i zbatimit dhe vetëm më pas mund të flasim për Asociacionin. Të gjithë ata që e nxjerrin Asociacionin nga paketa i bëjnë dëm Kosovës. Nuk mund ta nxjerrësh Asociacionin nga paketa dhe ta bësh prioritet për nga koha ose në qendër për nga hapësira e tryezës. Nuk është top prioriteti i normalizimit , është marrëveshja bazike. Të gjithë kolegët e mi, jo vetëm në Kosovë, unë i lus që të mos i nxjerrin nga paketa draft-statutin apo Asociacionin si një çështje”, ka thënë Kurti.

Kurti ka thënë se dëshiron marrëdhënie normale me Serbinë dhe se marrëdhëniet normale janë marrëdhënie evropiane të fqinjësisë së mirë.

“Kjo është e rëndësishme për paqen dhe rrugëtimin evropian, integrimin në familjen evropiane që paraqet edhe fatin tonë edhe synimin tonë”, ka thënë Kurti, derisa ka treguar edhe për shkeljet e Serbisë ndaj marrëveshjes.

“Problemi është që nga 11 nenet, së paku 8 janë shkelur nga Serbia. Ne kërkojmë siguri ligjore, jo vetëm për zbatim, por edhe respektim. Kjo është arsyeja pse kemi kërkuar edhe nënshkrim. Ne insistojmë në nënshkrim të marrëveshjes. BE-ja si arbitër të reagojë sa herë ka shkelje edhe më të vogla”, ka thënë Kurti.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shoqata e Intelektualëve “Jakova” ka hapur thirrjen publike për propozimet…