LDK e PDK zbulojnë ‘sekretin’ e VV-së: Takojnë mërgimtarët në Zvicër, Gjermani e Suedi

08 maj 2022 | 21:40

Dy partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës kanë nisur një turne në shtete të ndryshme për të takuar mërgatën.

Është PDK-ja e cila e para ka nisur rrugën për të forcuar radhët e veta në shtete të ndryshme ku jetojnë mërgimtarët.

Kjo parti ka zgjedhur Zvicrën si shtetin e parë për të takuar bashkatdhetarët atje.

Detyrën për ta rritur PDK-në në diasporë e ka marrë mbi supe deputeti Elmi Reçica i cili ka njoftuar disa ditë me radhë se ka hapur nëndegë në qytete të ndryshme ku jetojnë bashkatdhetarët.

Reçica më pas ka vazhduar edhe në Suedi ku ka hapur nëndegën e partisë në Malmo.

Deputeti Reçica për t’i forcuar radhët e PDK-së ka shkuar edhe në një shtet tjetër. Ai ka njoftuar se bashkë më mërgimtarë kanë hapur Degë të partisë në Mynhen të Gjermanisë.

Edhe LDK e nis me Zvicrën

Jo veç PDK, por edhe LDK-ja e Lumir Abdixhikut e ka nisur takimin me bashkatdhetarë në Zvicrën.

Abdixhiku ka njoftuar se bashkë me Ekipin Politik për Mërgatë, me Anton Quni, Sokol Haliti, Armend Zemaj e Shkumbin Gashi, kanë takuar bashkatdhetarët në Grenchen të Zvicrës – në shënim të 32 vjetorit të themelimit të Degës së LDK atje, shkruan Reporteri.net.

“Në mërgatë, angazhimi ynë do të jetë shumë më i madh sepse LDK do të udhëtojë me bashkëatdhetarët tanë në çdo hap të vetin politik. Ky është veçse fillimi”, ka shkruar Abdixhiku.

Nuk dihet cili shtet do të jetë destinacioni i radhës i LDK-së për të takuar mërgatën.

Kujtojmë se LDK në tërësinë e kandidaturave në Zgjedhjet Lokale të 17 tetorit, ka arritur të koncentrojë shumën më të madhe të votave të mërgatës së Kosovës.

Nga totali i votave të diasporës, LDK-ja ka marrë gjithsejtë 3 mijë e 158 vota, Lëvizja Vetëvendosje ka marrë vetëm 2 mijë e 692, AAK-ja e Ramush Haradinajt rreth 1 mijë e 500 derisa PDK-ja ka marrë pak më shumë se 1 mijë vota. /Reporteri.net/.

 

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një person rreth moshës 64 vjeçar është gjendur i vdekur…