LDK-ja thërret në interpelancë kryeministrin për rritjen e pagave të qeveritarëve

25 janar 2018 | 10:39

Grupi parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), sot ka dorëzuar kërkesën për interpelancë për kryeministrin Ramush Haradinaj lidhur me vendimin e Qeverisë nr. 04/20 të datës 21.12.2017 për rritjen e pagave në kabinetin qeveritar.

Deputetët e grupit parlamentar të LDK-së, në këtë interpelancë do të kërkojnë nga kryeministri Haradinaj anulimin e menjëhershëm të vendimit të kundërligjshëm për rritjen e pagave të kabinetit qeveritar si dhe sjelljen në Kuvend për aprovim,  në afat sa më të shkurtër të mundshëm, të Ligjit për Pagat e Sektorit Publik.

Lidhja Demokratike e Kosovës, duke marrë parasysh gjendjen socio-ekonomike, papunësinë dhe nivelin e pagave në vend, e vlerëson të pa pranueshëm vendimin që kryeministri i Kosovës ta ketë pagën më të lartë krahasuar me homologët e tij në rajon.

“Vendimi i tillë është jashtëzakonisht i dëmshëm, i pa analizuar dhe krijon një diskrepancë të madhe në mes të të ardhurave të qytetarëve, të ardhurave të të punësuarve të tjerë në sektorin publik me pagat e zyrtarëve të kabinetit qeveritar. Me këtë vendim, diferenca në paga në mes të zyrtarëve të kabinetit qeveritar dhe një shërbyesi civil është rritur nga 1 me 4, në 1 me 8. Kjo diskrepancë është shumë më e madhe për ata që marrin pensione apo ndihma sociale, apo edhe me pagën mesatare në sektorin privat”, është thënë në komunikatën e grupit parlamentar të LDK-së.

Sipas LDK-së, vendimi për rritjen e pagave të kabinetit qeveritar i tejkalon kompetencat e përcaktuara me Rregulloren e Punës së Qeverisë.

“Qeveria e Republikës së Kosovës, më 20 dhjetor 2017, në kundërshtim me ligjet e aplikueshme në Kosovë, ka marr vendim për rritjen e pagave për kryeministrin, zëvendëskryeministrat, ministrat dhe pjesën tjetër të kabinetit qeveritar. Vendimi ky i cili tejkalon kompetencat e përcaktuara me Rregulloren e Punës së Qeverisë, e cila në asnjë dispozitë të saj nuk përcakton kompetencat dhe përgjegjësitë e Qeverisë për caktimin e pagave për Kryeministrin, ministrat dhe pjesën tjetër të kabinetit qeverisës”, është theksuar në këtë komunikatë.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pas një takimi 3 orësh në Davos të Zvicrës, në…