Lëshohen patentëshoferët e parë profesionalë në Republikën e Kosovës
Në Agjencinë e Regjistrimit Civil (ARC) të Ministrisë së Punëve të Brendshme u mbajt një ceremoni solemne, me ç’rast u bë shpërndarja e patentë-shoferëve të parë profesionalë.
Në këtë aktivitet morën pjesë zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Enver Dugolli, zëvendësministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Zef Morina, drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Regjistrimit Civil, Jetmir Haziri, si dhe zyrtarë të tjerë të institucioneve përkatëse.
Me këtë rast, zëvendësministri Dugolli theksoi se me aktin e sotëm solemn po përmbushet edhe një kriter i rëndësishëm i zotimeve tona për avancimin e shërbimeve.
Ai tha se lëshimi i patentë-shoferëve profesionalë shënon një hap të rëndësishëm edhe në përmirësimin e procedurave administrative, duke u mundësuar qytetarëve që të certifikohen si drejtues profesionalë.
Ky proces është rezultat i bashkëpunimit dhe koordinimit ndërinstitucional ndërmjet Ministrisë së Punëve të Brendshme, përmes Agjencisë së Regjistrimit Civil, dhe Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit, me synim ofrimin e shërbimeve më efikase dhe lehtësimin e procedurave për qytetarët.
Me lëshimin e këtij dokumenti të nevojshëm për qarkullimin rrugor, krahas patentëshoferëve të rregullt dhe atyre ndërkombëtar, arrihet të përmbushet edhe një standard profesional ndërkombëtar në këtë fushë.
Të gjithë qytetarët që dëshirojnë të pajisen me patentë-shoferë profesionalë duhet të bëjnë aplikimet përmes Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit, ndërsa pas përfundimit të të gjitha procedurave, patentë-shoferi profesional personalizohet përmes Ministrisë së Punëve të Brendshme.



