LIBËR I DHEMBJES DHE I KRENARISË

21 nëntor 2019 | 13:36

Prof. dr. Sabile Keçmezi-Basha

 (Hanëmshahe Ilazi & Nusret Pllana, “Fëmijët martirë të Kosovës 1981-1999”, Botoi: “Radio Kosova e Lirë”, Prishtinë, 2019)

Që në fillim dua të them se për fëmijët është shkruar, shkruhet dhe do të shkruhet vazhdimisht. Për ta u shkruan libra e u xhiruan filma, të cilët temë trajtimi patën jetën dhe ngjarjet, të cilat përcjellin fëmijërinë e lumtur o të munguar të tyre. Por, vërtet, kjo vepër “Fëmijët martirë të Kosovës 1981-1999”, e autorëve të devotshëm Hanëmshahe Ilazit dhe Nusret Pllanës, nuk ka të bëjë me asnjërën prej këtyre. Në këtë libër, thjesht, shpaloset krejt diçka tjetër nga ajo që jemi mësuar të lexojmë e të shohim në botën e qytetëruar.

Libri “Fëmijët martirë të Kosovës 1981-1999” është shkruar me një përkushtim të rrallë dhe me një kujdes të veçantë. Këta dy autorë, edhe pse me vokacion nuk janë historianë-shkencëtarë, por nuk janë as psikologë, por me punën e bërë kanë depërtuar thellë e më thellë në ndjeshmërinë e përmasës së tragjedisë të dhembjes sonë. Mos të harrojmë se, mbi të gjitha, Hanëmshahe Ilazi është nënë, e Nusreti Pllana, baba i mrekullueshëm, andaj, si çdo nënë tjetër dhe, si secili baba, e kanë ndjerë dhe e kanë përjetuar rëndë dhembjen e çdo nëne e prindi që kanë humbur më të dashurit e tyre.

Vepra “Fëmijët martirë të Kosovës 1981-1999” është një libër i llahtarisë dhe i kërdisë. Një libër që të shtangë posa ta lexosh titullin e që të nxitë të futesh në brendinë e rreshtave e të fletëve, me faktografi të shumta e të pamohueshme, me dëshmi të bollshme e fotografi fëmijësh që u vranë e u masakruan anekënd Kosovës mbi 1 432 fëmijë.

Të nderuar pjesëmarrës,

Për dikë ndoshta është e pabesueshme, por faktet flasin për vërtetësinë e ngjarjeve makabre që u zhvilluan në truallin e përgjakur të Kosovës martire që nga viti 1981 e deri më 1999, kohë që e përkufizojnë autorët.

Besoj se askush nuk e ka harruar se në Kosovë patëm një luftë jo të zakontë dhe, me një okupues edhe më të pazakontë, do të thosha barbar. E si do të quheshin ndryshe ata që vrasin fëmijë – veç kriminelë.

A vriten fëmijët, bre?! do të pyeste poeti. Po në këtë libër është përgjigjja që të shtangë. Është dëshmia rrëqethëse e faktografuar të cilën autorët Hanëmshahe Ilazi dhe Nusret Pllana i kanë grumbulluar dhe i kanë sistemuar, duke na ofruar vetëm një pjesë të majës së ajsbergut të tragjedisë që ka ndodhur në Kosovë.

Kush i vret fëmijët, vallë?! do të pyeste çdo njeri që vërtet është njeri. E përgjigjja nuk është larg. Nuk është e panjohur!. Nuk është e paditur, nuk është enigmatike. Duhet lexuar librin e autorëve Hanëmshahe Ilazi dhe Nusret Pllana dhe aty do të gjeni shumë të dhëna, shumë dëshmi dhe shumë e shumë mallkime nga nënat dhe nga vetë historia. Libri është tmerri vetë, por që në të njëjtën kohë të bën të ndihesh i revoltuar, i rebeluar, i mobilizuar, i rezistuar para së keqes dhe të mësohemi që më kurrë, kurr më, mos ta harrojmë të kaluarën, për të mos u përsëritur, jo vetëm tek ne, por askund në botë.

Kush i vrau fëmijët, kush?! Do të pyeste çdo ndërgjegje njeriu dhe nuk është habi. O Zot, ata – vrasësit, na detyruan e na mësuan që ta urrenim edhe njeriun. I thonë njeri – vrasësit, apo jo?!

Të ndalemi për një çast dhe të mendojmë, se të gjithë ne jemi nënat, baballarët, motrat e vëllezërit e tyre. Jemi prindër që nuk i kemi më ato jetë të brishta. Nuk i kemi më puthjet dhe buzëqeshjet e tyre. Nuk na kthehen nga shkolla! Nuk na thërrasin për asgjë! Nuk na kërkojnë asgjë, por kujtimi për ta… hëmë, nëpër vite e dekada do të na përcjellë dhembje migrenoze nga ecejaket e lodhura në trotuaret e historisë, që kërkojmë vetëm pak për ta, një vëmendje sublime nga gjenerata e gjenerata që do të vijnë.

Tematika e kësaj monografie është trajtuar me seriozitet të madh publicistiko-shkencor. Secila pjesë ndërlidhet reciprokisht mes vete dhe plotësojnë kuptimin e njëra-tjetrës. Statistikat që prezantohen këtu janë të sakta, ku paraqiten me emra e mbiemra, me vendlindje e komuna, me vendndodhje të masakrave, andaj libri është monument shkrimi argumentues dhe bindës. Në fillim është dhënë përmbajtja e librit, pastaj dy fjalë lexuesit, më tutje fjala e redaktorit e recensuesve. Pastaj pason hyrja dhe shumë pjesë të tjera. Në fund jepet përfundimi i librit, i cili njëherësh është i përkthyer edhe në gjuhën angleze.

Libri ka foto e faksimile, që është pjesa më rrëqethëse e tij, ku janë materializuar me fakte ngjarjet që trajtohen në këtë monografi.

Autorët e librit “Fëmijët martirë të Kosovës 1981-1999”, Hanëmshahe Ilazi dhe Nusret Pllana, me punën e tyre të pandalur na dhuruan këtë libër – lapidar për fëmijët e vrarë në Kosovë, që nga viti 1981 deri në vitin 1999, i përgëzoi për kurajën që kanë pasur, ngaqë në momentet kur e lexoja librin ndihesha pjesë e tyre, kam qenë në pozitën e tyre dhe e di se çka kanë ndjerë, se sa vështirë e kanë pas t’u ‘rezistojnë’ ballafaqimeve me familjarët e fëmijëve martirë, për t’ua kërkuar atyre qoftë edhe një fotoportret të fëmijës së tyre të vrarë, apo të zhdukur, këtu e njëzetë vjet më parë.

Autorët kanë bërë punë të madhe, kombëtare dhe humane, ngaqë pjesën më të pastër e më të mirë, të qenies sonë, e kanë nxjerrë nga harresa. U kanë vënë emra dhe mbiemra. Ua kanë dhënë vendin e merituar në piedestalin e monumentit kombëtar të të rënëve për liri dhe pavarësi.

Libri “Fëmijët martirë të Kosovës 1981-1999”, le të jetë edhe një homazh kombëtar e njerëzor për jetën e atyre fëmijëve që u shuan në mënyrë të pafajshme nga dora barbare. Le të jetë një dëshmi e paharruar e një kujtese të dhembshme, jo për hakmarrje, por që krimet mos të përsëriten kurrë më në trojet shqiptare e askund në botë.

Dhe krejt në fund i përgëzoj të dy autorët për punën e madhe që kanë bërë.

 (Fjalë nga promovimi i librit “Fëmijët martirë të Kosovës 1981-1999”, Prishtinë, 19 nëntor 2019)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, u është përgjigjur zërave që…