Liderët e BE-së dënojnë sulmin në Banjskë, kërkojnë nga Kosova dhe Serbia t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet

27 tetor 2023 | 15:55

Krerët e shteteve dhe qeverive të Bashkimit Evropian (BE) e kanë dënuar “ashpër sulmin e dhunshëm ndaj Policisë së Kosovës”, që ka ndodhur në Banjskë të Zveçanit, më 24 shtator.

“Bashkimi Evropian pret që autorët të arrestohen dhe të sillen shpejt para drejtësisë dhe Serbia të bashkëpunojë plotësisht, dhe t’i ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm në këtë drejtim”, është thënë në konkluzionet e miratuara në fund të samitit.

Në fund të takimit dyditor, të mbajtur në Bruksel, liderët e BE-së kanë shprehur shqetësimin e tyre të thellë për situatën e sigurisë në veri të Kosovës.

Kosovës dhe Serbisë u është kërkuar që t’i vazhdojnë përpjekjet për ulje të tensioneve, dhe të sigurojnë mbajtjen sa më të shpejtë të zgjedhjeve të reja në veri të Kosovës, me pjesëmarrjen aktive të serbëve të Kosovës.

“Dështimi për t’i ulur tensionet do të ketë pasoja”, është thënë mes tjerash në konkluzione.

Presidentët dhe kryeministrat evropianë kanë shprehur keqardhje për mungesën e zbatimit të Marrëveshjes së arritur në shkurt mes Kosovës dhe Serbisë për normalizim të marrëdhënieve.

BE-ja ka bërë thirrje që dy vendet t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet paraprake, pa vonesa dhe pa parakushte, duke përfshirë edhe formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

“Normalizimi i marrëdhënieve është një kusht thelbësor në rrugën evropiane të të dyja palëve dhe të dyja rrezikojnë të humbasin mundësi të rëndësishme në mungesë të progresit”, është thënë në dokument.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Të gjithë adhuruesit e basketbollit të Kosovës nesër (e shtunë)…