Nesër luhet ‘El Clasico’ e Kosovës në basketboll

27 tetor 2023 | 15:42

Të gjithë adhuruesit e basketbollit të Kosovës nesër (e shtunë) do t’i kenë sytë  kah “El Clasico” në mes të Sigal Prishtinës dhe Pejës.

Ky derbi vjen në një moment shumë të veçantë, pasi të dy skuadrat janë në top formë. Bardhekaltrit kanë katër fitore e një humbje, kurse pejanët numërojnë pesë fitore në pesë ndeshje, duke e bërë këtë sfidë edhe më interesante. Verdhezinjtë janë skuadra e vetme e pamposhtur në këtë edicion të elitës së basketbollit.

Përballjet ndërmjet Prishtinës dhe Pejës kanë qenë gjithmonë interesante, e kështu pritet të jetë edhe të shtunën.

Adhuruesit e basketbollit do të kenë mundësi të shohin një spektakël të basketbollit, ndërsa atmosfera në këso sfida ka qenë gjithmonë elektrizuese.

Takimi i dytë ditën e shtunë do të zhvillohet ndërmjet Golden Eagle Yllit dhe Proton Cable Prizrenit, ku momentalisht të dy skuadrat nuk janë në formën optimale, pasi kanë nga një fitore dhe katër humbje, e kjo e bën edhe më të rëndësishme këtë sfidë.

Nga një fitore dhe katër humbje kanë edhe Istogu e Vëllaznimi që përballen të pasnesër (e diel). Sigurisht dy skuadrat synojnë fitoren e dytë në këtë edicion. Istogasit fitoren e vetme e kanë ndaj Bashkimit, kurse Kuqezinjtë ndaj Golden Eagle Yllit. Takimi zhvillohet në Pejë.

Java e gjashtë në Prince Caffe Superligë do të mbyllet me një tjetër sfidë interesante, ku do të ndeshen dy skuadrat me traditë, Bashkimi dhe Trepça. Prizrenasit kanë tri fitore dhe dy humbje, kurse mitrovicasit katër fitore e një humbje.

Java 6 – Prince Caffe Superliga:

Nesër (e shtunë)

16:00 Sigal Prishtina – Peja

19:00 Golden Eagle Ylli – Proton Cable Prizreni

Pasnesër (e diel)

17:00 Istogu – Vëllaznimi

19:00 Bashkimi – Trepça

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Trajneri i Chelseat, Mauricio Pochettino, ka konfirmuar se Armando Broja…