Limaj mban fjalën, nis jetësimin e projektit çdo familje nga një të punësuar

19 prill 2018 | 18:02

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj ishte zotuar gjatë fushatës së me Nismën në qeveri do të bënte të mundur që çdo familje në Kosovë të ketë nga së paku një anëtar të punësuar.

E, ky projekt ka nisur të zbatohet edhe në praktikë.

Zëvendëskryeministri Limaj bashkë me ministrin e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica kanë nisur takimet me familjet përfituese të Skemës së Ndihmës Sociale në të gjitha komunat.

Limaj po synon që së paku nga një anëtar të familjeve në skemën sociale t’i përfshijnë në masat aktive të tregut të punës.

Numri dy i Qeverisë së Kosovës ka thënë se do t’i ofrohet mundësia për të punësuar secilës familje së paku nga një anëtar. Për të arritur këtë mision, Limaj ka kërkuar bashkëpunimin edhe të familjeve që janë në asistencë sociale.

“Sot jeni të ftuara 176 familje që nuk kanë asnjë të punësuar dhe të cilët janë të aftë për punë. Ideja e këtyre takimeve që do të mbahen anekënd vendit është që të njoftojmë drejtpërdrejt njerëzit tanë me mundësitë që i ka shteti për t’i ofruar një shans dhe një mundësi djemve e vajzave që të punojnë. Theranda njihet si ndër komuna me njerëzit me punëtor dhe jemi ardhur t’ju themi juve që merrni ndihmë sociale a jeni të gatshëm për punë”, ka thënë Limaj gjatë një tubimi me banorë të Therandës të cilët marrin asistencë sociale.

Sipas Limajt, Ministria e Punës ka bërë disa plane dhe po punon në disa drejtime në bashkëpunim me komunat për të hapur vende të reja të punës, në të njëjtën kohë ai ka bërë me dije se janë në kontakt edhe me shtetet mike për të arritur marrëveshje për punësim sezonal.

“Sidomos djemtë e vajzat e reja që nuk kanë përgatitje profesionale, ju ftoj të drejtoheni drejt qendrave për aftësim profesional dhe shkoni merreni nga një zanat. Tregu i punës kërkon njerëz me zanat. Shfrytëzoni moshën e drejtohuni këtyre qendrave. Unë e di që jetoni një jetë të vështirë dhe e di që askush nga ju nuk do që të merrni një ndihmë sociale, e di sa është vështirë për juve ta përmbyllni muajin me ndihmë sociale”, ka shtuar Limaj.

Limaj ka thënë se shteti nuk ka kapacitet për të rritur ndihmën sociale aq sa kanë nevojë familjet që marrin këtë ndihmë. “Ndryshe është për të marrë një pagë nga punësimi e ndryshe për të pritur ndihmë sociale. Për familjet që nuk kanë mundësi të punojnë duhet të kujdeset shteti. E vetmja rrugë është për ta ndihmuar njëri-tjetrin”, ka theksuar Limaj.

Ndërkaq ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, ka thënë se kanë zgjedhur Therandën për të nisur këtë projekt i cili ka për qëllim përmirësimin e mirëqenies sociale. “Kemi nisur një projekt i cili ofron mundësi për punësimin tuaj”, ka shtuar Reçica.

Pas Therandës Limaj e Reçica do të mbajnë një takim edhe me familjet me asistencë sociale në komunën e Prizrenit

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministrja e Integrimit Evropian (MIE), Dhurata Hoxha, ka raportuar në…