Limaj nga Drenasi: Stop shantazhit dhe rrenave sepse nuk mund ta ndalni vullnetin e qytetarëve

01 tetor 2019 | 17:50

Pas vendlindjes se tij në Malishevë, kandidati për kryeministër nga koalicioni Nisma-AKR-PD, Fatmir Limaj, tubimin e radhës e ka mbajtur në Drenas, konkretisht në Shtëpinë e Kulturës të kësaj komune.

Përveç Limajt të pranishëm janë edhe kryetari i Këshillit Kombëtar Jakup Krasniqi, Dardan Gashi dhe bashkë-partiakë të tjerë, kryetari i Degës të Nismës nga Drenasi Isa Xhemajlaj dhe kandidatë për deputetë.

Isa Xhemajlaj ka thënë se Nisma kurrë më shumë s’ka pasur mbështetje.

“Parlamentin dhe Qeverinë e Kosovës do ta bëjmë me këta njerëz që punojnë për këtë shtet. Janë këta djem që janë secili më i zoti se tjetri. Ne nuk i shantazhojmë njerëzit, ne nuk i blejmë votat, neve na duhen votat me zemër. Ka ardhur koha për luftë të zhvillimit ekonomik me njerëz të ditur dhe me vizon, ka thënë ai.

Xhemajlaj ka premtuar se nga paga e tij do të ndajë nga 150 euro për një student nga Drenasi me notë mesatare të mirë e që ka kushte të vështira ekonomike.

Ndërsa Jakup Krasniqi ka thënë se Kosovës i duhet një lider që ndërton së bashku për qytetarët dhe me qytetarët për shtetin e së drejtës.

“Bindja ime e plotë dhe me arsye të shumta është se kandidatit i Nismës është me kompetent për të qeverisur në vazhdim”, është shprehur Krasniqi.

Në anën tjetër, kandidati për kryeministër nga koalicioni Nisma-AKR-PSD, Fatmir Limaj, ka kritikuar kundërshtarët e tij politikë.

“Fatkeqësisht ka njerëz akoma që këtu mendojnë se Drenasi është pronë e tyre dhe qytetarët i shohin si numra dhe si mall që mundesh me i qit në pazar kush jep çmim me te madh. E këta njerëz, paramendoni çka mund të bëjnë me vendin?!”.

“Dalin, premtojnë e shantazhojnë e përdorin plot metoda tjera që qytetari mos me mujt me votu lirshëm e me vepru lirshëm. A din çka do të thotë t’ju përzihen njerëzve edhe aty dhe me i tjetërsua, ata që e bëjnë burrin me i dalë djersët, ata nuk e meritojnë votën e Drenasit”.

“Pasha Zotin, boni çka të doni, me pshtu s’keni me mujt me pshtu. Këta misionarë që i keni përballë duheni me i ndihmu me e demokratizu Drenasin, që populli me pas vullnetin e lirë. Porosia ime për ta është, stop shantazhit dhe rrenave se nuk mundeni me e ndalë vullnetin e qytetarëve e as të Drenasit”, ka thënë Limaj.

Gjatë këtij tubimi është bërë prezantimi i kandidatëve për deputetë të kësaj ane, të cilët janë Dardan Krasniqi, Isa Xhemajlaj, Hajrie Gashi, Mehdi Thaqi, Shumëzim Bujupi, Liman Krasniqi, Xhafer Plakiqi dhe Eqrem Berisha.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kandidati për kryeministër nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Kadri…