Makolli: Mendojmë se në Serbi ka ende varreza masive

04 dhjetor 17:18

Në këtë lokacion gjenden eshtrat e njerëzve të vrarë gjatë konfliktit në Kosovë, të cilët janë transferuar këtu për të mbuluar krimin.

Kështu ka deklaruar të premten Ibrahim Makolli, kryetar i Grupit punues të delegacionit të Kosovës për Personat e Zhdukur, gjatë një vizite të vendit ku po bëhen gërmime të mbetjeve mortore në varrezën masive në Kizhevak, afër Rashkës në Serbi.

Në një deklaratë për medie, ai ka thënë se procesi duhet të mbrohet nga politizimi.

“Kjo është një çështje humanitare dhe ne do ta trajtojmë në atë mënyrë, por ata që i kanë kryer këto krime duhet të marrin dënimet e merituara”, ka thënë Makolli.

Përveç Makollit, në këtë vend ishin prezent edhe shefi i delegacionit të Beogradit, Velko Odalloviq, dhe kryetari i Grupit të Punës, Fabian Bourdieu.

Ata kanë vizituar Kizhevakun në Serbinë Jugperëndimore, ku janë gjetur eshtrat e civilëve për të cilët dyshohet se janë shqiptarë të vrarë gjatë luftës në Kosovë më 1999, përkatësisht në mes të nëntorit të atij viti.

Makolli ka thënë se beson se ka vende të tjera në Serbi me varreza masive të mundshme.

Sipas tij, hulumtimi i përbashkët ka konfirmuar se janë edhe dy vendndodhje të varrezave masive të mundshme në Serbi, afër Novi Pazarit dhe Sjenicës.

“Shpresoj se xhirimet nga ajri do të ndihmojnë në lokalizimin e atyre vendeve dhe se do t’i shqyrtojmë në të ardhmen së bashku me përfaqësuesit e Serbisë”, ka thënë Makolli.

Ndërsa kryetari i delegacionit të Beogradit dhe presidenti i Komisionit për Personat e Zhdukur të Qeverisë së Serbisë, Velko Odalloviq, ka thënë se “nuk mund të deklarojë asgjë me siguri për numrin e trupave në atë vend, por shtoi se mund të supozohej se aty janë mes 15 dhe 17 trupa”.

Ai ka theksuar se vetëm procesi i zhvarrosjes dhe identifikimit do t’i japë përgjigje pyetjes rreth numrit të mbetjeve mortore dhe kujt i përkasin.

Sipas Odalloviqit, kjo është një nga varrezat e zhvendosura në Serbi.

Ai ka thënë se do të punohet në këtë lokacion për sa kohë që lejojnë kushtet e motit, sigurisht në 10 ditët e ardhshme.

Kur punimet ndërkrehen, vendndodhja do të mbrohet dhe ruhet në mënyrë adekuate fizikisht, shtoi Odalloviq.

“Ne i qasemi kësaj pune jashtëzakonisht me përgjegjësi. I gjithë procesi do të jetë transparent”.

“Përfaqësuesit e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX), Kryqit të Kuq, Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur dhe anëtarët e delegacionit të Prishtinës janë të pranishëm në të gjitha fazat, së bashku me ekspertët e gjykatës nga Serbia”, ka thënë Odalloviqi.

Ai ka përmendur se çështja e të zhdukurve është çështje e pozicionuar lart në marrëveshjen e Uashingtonit dhe në negociatat e Serbisë me delegacionin e Kosovës në Bruksel.

Përfaqësuesi i Grupit të Punës nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq, Fabian Bourdieu, ka thënë se zbulimi i kësaj varreze thekson rëndësinë e zbulimit të të zhdukurve.

Në javët e ardhshme, ekipet mjeko-ligjore do të punojnë së bashku për të mbyllur një kapitull të vështirë në jetën e shumë familjeve të të zhdukurve, ka thënë Bourdieu, raporton “Rel”.

Snezhana Matejiq, specialiste e forenzikës që drejton ekipin mjeko-ligjor serb, ka thënë se “kjo do të jetë punë e vështirë për shkak të terrenit dhe kushteve të motit”.

“Ne nuk mund ta injorojmë situatën epidemiologjike, por ne do të bëjmë çmos për ta përfunduar atë punë”, ka thënë ajo.

Zhvarrosja e trupave në vendin e ish-minierës “Kizhevak”, afër kufirit midis Serbisë dhe Kosovës, filloi më 30 nëntor.

Aspekti mjeko-ligjor menaxhohet nga një ekip i ekspertëve mjeko-ligjorë serbë dhe ekspertë nga Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP), përfaqësues të Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (ICRC) dhe delegacioni i Kosovës i Grupit Punues për Personat e Zhdukur, që është i pranishëm në rolin e vëzhguesit.

Ekspertët nga Misioni i Bashkimit Evropian në Kosovë (EULEX), Instituti i Mjekësisë Ligjore të Kosovës dhe Komisioni i Qeverisë së Serbisë për Personat e Zhdukur kanë gjetur mbetje njerëzore në vendin e Kizhevak më 16 nëntor, pas së cilës Gjykata e Lartë në Beograd lëshoi një urdhër zhvarrosje.

Vlerësohet se në këtë lokacion mund të jene mbetjet prej shtatë deri 20 personave, ka deklaruar për REL Matthew Holliday, kreu i Programit të Ballkanit Perëndimor të ICMP më 2 dhjetor.

Ai la thënë se kjo varreza masive është “ndoshta i lidhur me zhvarrosjen në Rudnicë afër Rashkës disa vjet më parë” dhe se viktimat e gjetura në vendin e ri ishin “të lidhura me të njëjtën ngjarje në Kosovë në 1999”.

Në njoftimin e Komisionit të Qeverisë së Serbisë për Personat e Zhdukur është thënë se vendndodhja “Kizhevak” ka qenë objekt i hulumtimit dhe kërkimeve për pesë vitet e fundit, bazuar në urdhrin e Prokurorisë së Krimeve të Luftës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se qeveria mund…