MAPL-ja nënshkruan marrëveshje me UNDP-në

09 gusht 2018 | 13:37

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), Ivan Todosijevic, ka pritur në takim përfaqësuesen e përhershme të UNDP-së për Kosovë, Ulrika Richardson.

Me këtë rast ministri Todosijevic ka falënderuar përfaqësuesen e përhershme të UNDP-së për Kosovë Richardson, për përkrahjen e ofruar ndër vite për MAPL-në dhe komunat me qëllim të avancimit dhe forcimit të kapaciteteve institucionale, si dhe rritjes së transparencës në punën e tyre.

Edhe përfaqësuesja e përhershme e UNDP-së për Kosovë, Ulrika Richardson ka falënderuar ministrin Todosijevic për mikpritjen dhe bashkëpunimin e deri tanishëm ndërmjet institucioneve të vendit dhe UNDP-së.

Me pas ministri Todosijevic dhe përfaqësuesja Richardson kanë nënshkruar marrëveshjen e mirëkuptimit e cila siguron dhe mundëson themelimin e sistemit të kontrollit të brendshëm dhe rritjen e transparencës për MAPL-në.

Ministri Todosijevic ka theksuar se qëllimi i MAPL-së është të përmirësojë kontrollet e brendshme dhe të rrisë transparencën me qëllim që të ndihmojë në zvogëlimin e parregullsive të brendshme, duke plotësuar rolin e Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA), forcimin e llogaridhënies, transparencës dhe efikasitetit institucional, si dhe duke frymëzuar ministritë e tjera dhe komunat për të ndjekur këtë shembull.

“Kontrollet e brendshme nuk duhet të përdoren vetëm si mjet për parandalimin e parregullsive dhe sigurimin e pajtueshmërisë me ligjet dhe rregulloret por ato gjithashtu duhet të përdoren për të përmirësuar sistematikisht funksionimin institucional, veçanërisht në lidhje me efikasitetin dhe efektivitetin, dhe në anën tjetër, kapacitetet dhe performancën institucionale”, është shprehur ai.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Agjencia për Barazi Gjinore (ABGJ) në zyrën e kryeministrit, ka…