Marrëveshjet dhe zyrtarizimet nëpër kafene, modë në Kosovë

26 janar 2018 | 14:25

Klubet elitare në futbollin e Kosovës, edhe ato nga Liga e Parë, e kanë bërë praktike që prezantimin e trajnerëve dhe futbollistëve t’i bëjnë nëpër kafene. Disa prej këtyre klubeve prezantimet i bëjnë edhe nëpër ambientet e klubit e disa nuk i prezantojnë fare. Ish-drejtori i KF Feronikelit, Artan Berisha, ka treguar për “Epokën e re” se kjo dukuri bëhet për dy arsye: për ta njoftuar opinionin sa më shpejt dhe si pasojë e mungesës së infrastrukturës brenda klubeve.

Prezantimi i trajnerit Agron Selmani të mërkurën si trajner i ri i Vllaznisë së Pozharanit dhe i futbollistit Korab Hasani nga skuadra e Vushtrrisë ka dëshmuar edhe një herë se në Kosovë është bërë traditë që klubet t’i zyrtarizojnë marrëveshjet apo t’i bëjnë prezantimet e trajnerëve dhe futbollistëve të rinj nëpër kafene.

Artan Berisha, i cili ka kryer shumë transferime në karrierën e tij si ish-drejtues i KF Feronikeli, ka thënë të mërkurën për “Epokën e re” se kjo dukuri po shfaqet gjithnjë e më shumë për dy arsye: për ta njoftuar opinionin sa më shpejt dhe për mungesë të infrastrukturës. “Normalisht se nuk është mirë që prezantimet po bëhen nëpër kafene, sepse serioziteti i klubit varet shumë edhe nga paraqitjet që bëhen në medie. Kur kryesia e kaluar ishte në krye të Feronikelit i kemi kushtuar shumë rëndësi edhe paraqitjes. Kjo dukuri po shpeshtohet për dy arsye: E para, nga dëshira e madhe që menjëherë lajmi të plasohet në media dhe të bëhet publik. E dyta, si pasojë e mungesës së infrastrukturës, ku shumë klube nuk kanë zyra të rregulluara në atë formë që mund të bëhen prezantime të mira”, ka thënë Berisha për “Epokën e re”.

Kampioni vjeshtor i Vala Superligës, Llapi, i ka përdorur të gjitha format e prezantimit ku disa transferime i ka prezantuar në ambientet e klubit e disa edhe në kafene. Transferimin e Altin Merlakut në mesin e muajit dhjetor, Llapi e bëri publik në një kafene, kurse i njëjti futbollist u prezantua më vonë edhe në klub, sikurse që u prezantuan edhe Egzon Shabani, Muhamet Hyseni dhe Festim Alidema.

Skuadra e Feronikelit, e cila njihet si ndër më të organizuarat në vend, ka përdorur të dyja format e prezantimit. Vlen të ceket se vazhdimi i marrëveshjes me Yll Hoxhën u bë në një kafene, kurse transferimi i Albutrint Morinës dhe Lauren Ismailajt u prezantuan në ambientet e klubit. Ndërkaq, marrëveshja me Berat Ahmetin fillimisht u bë në një kafene, ku ishte i pranishëm edhe kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, e më pas edhe në klub.

Një tjetër skuadër e elitës, Gjilani, e ka prezantuar në ambientet e klubit futbollistin Fuad Karabegu, kurse dy transferimet e tjera, Edmond Turku dhe Hasan Hyseni, nuk i ka prezantuar fare. Skuadra tjetër gjilanase, Drita, e ka realizuar vetëm një transferim, Amit Guluzade dhe atë e ka prezantuar nga Selaniku i Greqisë.

(Veton ZYMBERI)

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ambasadori i Republikës së Sllovenisë në Kosovë, Bojan Bertoncelj, ka…